E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Duam një drejtësi europiane, jo me paraburgim pa gjyq si në Rusi

TIRANË, 27 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një takim të zhvilluar sot me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në kryeqytet, tha se PS është e para forcë në pushtet në Shqipëri, që i ka hequr pushtetit politik duart nga drejtësia.

“Kjo sepse kemi dashur që më në fund Shqipëria të futej në sprovën e një drejtësie të pavarur që nuk e ka pasur kurrë dhe që të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh”, tha Rama.

Rama theksoi se “qëllimi ynë nuk ka qenë asnjëherë se si të mbajmë pushtetin dhe si mbulojmë njëri-tjetrin dhe si të përsërisim me fytyra të tjera, ngjyra të tjera, në një kohë tjetër të njëjtën histori”.

Por, Rama tha se qëllimi i PS-së ka qenë dhe mbetet të bëjë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe duke i dhënë një shans brezave që vijnë mbrapa të kenë drejtësi të pavarur.

“Nuk e ka pasur kurrë Shqipëria nga vitit 1912  deri në 2009 një rast të vetëm që një ministër, një njeri me pushtet të merret nga një prokuror e gjykatës i pavarur, që të hetohet e gjykohet, lëre pastaj të bëhet telenovelë në të gjitha llojet e medieve edhe të linçohet, në ndonjë rast pa gjyq duke qenë i zgjedhur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë proces ka gjëra që nuk shkojnë fare, ndërsa shtoi se “ne duam drejtësi europiane dhe jo si në Rusi”.

“Për 5 vjet, unë i pari dhe gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët e mbyllur gojën, sepse pavarësia ka qenë kryesorja për të na garantuar pavarësinë. Por nuk është vetëm pavarësia është edhe profesionalizmi, edhe standardi demokratik. Ne duam drejtësi europiane jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë jo me paraburgim, pa gjyq”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se kjo është një betejë që socialistët e kanë barrë ta bëjnë, por duke garantuar vazhdimësinë, pavarësinë, paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Një parti si e jona, që dy mandate ka qeverisur e vetme, që i thotë drejtësisë: “Dil e pavarur dhe ja ku më ke dhe ha trupin tim nuk ka problem, rëndësi ka që të gjithë të bëhen të barabartë para ligjit, edhe sikur ti të kafshosh gabimisht”. Por kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi, megjithatë nuk ka një rrugë tjetër”, tha Kryeministri.

Ndërsa theksoi se barra e provës i takon atij që akuzon jo, atij që akuzohet, Rama solli në vëmendje edhe parimi se të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet dikush i fajshëm.

“Nuk është parimi ‘të gjithë janë të fajshëm’, se këtu është bërë ‘të gjithë janë hajdutë, kriminelë’ e kështu e me radhë. Nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur, nuk na mundin dot dhe sot ulërasin lloj-lloj speciesh të kënetës politike dhe mediatike që ne po kërcënojmë SPAK, jemi rrezik për SPAK”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama tha se “bufi i kënetës”, me zhabat dhe zhapikët e vet, vazhdon dhe çon denoncime te SPAK.

“Nëse drejtësia është ndëshkim dhe tek shpata rolin kryesor e ka Prokuroria, por drejtësia nuk është vetëm shpatë, është edhe peshore. Dhe Zonja e Drejtësisë, që është simboli i vjetër i drejtësisë, sytë i ka fashuar sepse duhet që drejtësia të jetë e verbër, në kuptimin që nuk duhet të shohë kush është më i gjatë e më i shkurtër, statusin social më të lartë e më të ulët. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka se ia dhamë. Ishte shpata me të cilën pushteti i rrinte mbi kokë drejtësisë. Ne nuk kemi shpatë. Drejtësia e ka shpatën por duhet edhe peshorja, duhen edhe sytë e mbuluar”, tha Rama, teksa komentoi sërish figurën simbolike të drejtësisë.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›