E Diel, 1 Nëntor 2026

GËZUAR PROTESTAT APO PROFESTAT

Pro(testës) apo pro(festës). “Gëzuar protestën” uroi shefi i opozitës, në këtë vit të ri, nëpërmjet kartolinës të dërguar qytetarëve, ku mungonin ngjyrat festive, ndërsa ishin të pranishme turma protestuesish nga Tirana, Korça, Durrësi, Berati etj., me banderola me shprehjet politike “Duam votat tona”, “Ik Berisha” e të tjera si këto dhe me shprehjen në brendësi të kartolinës “Me këto pamje shpresëdhënëse të vitit që po ikën uroj një vit të ri”. Të shpresosh me protestë, të gëzosh me protestë, kështu e ka konceptuar kreu i opozitës festën e Vitit të Ri, që ka për simbol një kartolinë. Njerëzimi ka zgjedhur një ditë për të festuar ndërrimin e viteve. Psikologjikisht, gjithkujt, edhe në ditët më të zeza, i këshillohet të festojë për mbarësi, për fat më të mirë, për shpresë. Me sa duket, natyra njerëzore ndien domosdoshmërinë e të gjithë gamës së ndjenjave. Gëzojmë, hidhërohemi, bërtasim, qajmë, por edhe festojmë. Kush arrin të gëzojë, bëhet i besueshëm edhe kur hidhërohet, qan e bërtet. Në të kundërt, në qoftë se vetëm do të gëzonim apo vetëm do të qanim, hidhëroheshim e bërtisnim ose do të konsideroheshim të çmendur, të rremë ose të pavërtetë. Shefi i minorancës tha pro(testë) jo pro(festë), tha pro(hidhërim), ditën kur të gjithë shqiptarët festonin hyrjen në NATO. Shefi i minorancës thotë pro(testë), jo pro(festë), ditën kur i gjithë njerëzimi feston hyrjen në 10-vjeçarin e dytë të mijëvjeçarit të tretë. Jo pa qëllim e them “shefi i minorancës”, jo për të denigruar atë forcë politike (ajo përsëri mund të shndërrohet në mazhorancë), por për t’i treguar shefit të saj që ai është në minorancë në urimin “Gëzuar protestën”, që u ka dërguar shqiptarëve, nëpërmjet simbolikës së vitit të ri, kartolinës. Të protestosh apo të festosh? Të protestosh edhe të festosh? Mund të duket ekzistencialiste, për dikë apo për një forcë politike. Mund të duken të ndryshme, por dikujt mund t’i duket e njëjtë. Meqenëse nuk zgjodhi dot mes festës dhe protestës, krijoi një hermafrodit, festën&protestën, brenda simbolit më të thjeshtë dhe më të përdorur, kartolinës. Dhe të shikonim një kartolinë festimi dhe urimi për festat e fundvitit, me turma jo festuesish, por protestuesit, në fakt ishte risi. Në atë kartolinë, forma festive gjithsesi ishte ruajtur (me një të kuqe tipike socialiste), por me një përmbajtje proteste (turma me banderola). Kjo përputhje kaq e përsosur (gjithmonë sipas kreut socialist) e formës dhe e përmbajtjes, çfarë produkti sjell? Të shpresojmë që turmën e përvitshme të qytetarëve që dalin të hedhin fishekzjarre, të mos i fusë në xhep si protestues. Po, janë mbledhur turma njerëzore në këtë eveniment, por për paqen. Kjo ka ndodhur për nder të mijëvjeçarit të tretë, në Izrael. Në mesnatën e ndërrimit të mijëvjeçarëve u mblodhën 100 mijë vetë, të mëdhenj e të vegjël, të cilët krijuan një zinxhir njerëzor që do të rrethonte detin e vdekur, për paqen dhe ruajtjen e ambientit. Vetëm një mendje e sëmurë mendon që ndokush mund ta përziejë festën me protestën apo të zgjedhë midis njërës dhe tjetrës. Psikologu më mediokër do ta këshillonte gjithkënd, që gjithmonë në çdo moment dyzimi, të bëjë zgjedhjen e duhur, në momentin e duhur, për arsyen e duhur. Asnjë arsye në botë, për askënd, për asnjë moment, nuk do t’i linte ato orë gëzimi dhe t’i përziente apo t’i mishmashoste me protestat. Dëshiron shefi i minorancës të vërë në krizë disa forma të mirëpërcaktuara deri më tash? Këto janë festa me një thelb të rrënjosur fetar dhe ta mohosh atë, qoftë edhe në formë, tregon një tendencë, jo vetëm nihiliste, por edhe ateiste, që është tipike e forcave të majta (sipas filozofit të famshëm Norberto Bobbio, ateizmi u përket vetëm të majtëve, të cilët i konsideron krijesa djallëzore, që duan të përmbysin urdhrin botëror, të përcaktuar nga Zoti).
Për fundvitin dhe fillimin e një viti të ri sa më të mbarë, si për supersticion gjithçka është festive, me ngjyra të ndezura, në mënyrë që të paktën për disa orë, të gëzojnë të gjithë. Kështu jemi mësuar t’i shohim edhe kartolinat me të cilat ne u dërgojmë urimet më të ngrohta njerëzve të dashur. Në ndërrim vitesh mund të ketë përjetime të ndryshme: 40% e italianëve përjetojnë ankthin se mbase në vend të gëzimit, do të ndiejnë vetmi apo 15% e tyre kanë frikë se mund të shpenzojnë shumë në fundvit, por kurrsesi nuk e ndiejnë veten përpara dilemave, nëse do të jetë festë apo protestë. E gjithë bota e feston ndërrimin e viteve, sidomos kur bëhet fjalë për fund apo fillim 10-vjeçari, me mënyra nga më të çuditshmet. Fantazitë mund të jenë nga më të pazakontat, nga më të paimagjinueshmet, nga më të parezistueshmet. Disa zgjedhin një udhëtim me anije nga bregu neozelandez për në atë australian. Mes tyre ndodhet pikërisht pika ku ndahen ditët. Pra, këta kureshtarë mund të kalojnë dy herë vitin e ri. Në përkujtim të perëndeshës Lemanja (perëndesha e ujërave) të gjithë artistët brazilianë mblidhen përgjatë plazhit të Kopakabanës, ku si normë është veshja me të bardha. Në Finlandë, në një fshat prej akulli, mes dëborës, banuar me personazhe misterioze, pak të çmendur dhe pak magjistarë, trokasin gotat në restorante prej akulli. Pra, pamë që shumica dërrmuese e popujve gëzojnë me forma shumë të çuditshme, por kurrsesi me elemente dhune. Të gjitha mbeten brenda gëzimit, për ditë sa më të mira dhe të lumtura. Pamë shumë supersticione, nga e gjithë bota dhe askund dhe në asnjë lloj forme nuk pamë turma protestues-gëzuesish.
Në qoftë se marrim përsipër të transformojmë apo të sfidojmë konceptet e festës, gëzimit, hidhërimit, ky është një kapitull për t’u diskutuar. Format festive dhe të gëzimit janë ato çka përcillen në tru si ndjenja kënaqësie dhe emocione pozitive. Njeriu, të paktën ai normali, ka shumë shekuj që e ka përcaktuar se çfarë i jep kënaqësi. Kur kënaqësia vjen nga dhuna (protesta), aty fillon devijimi. Ka dhe satanistë, që e konceptojnë ndryshe gëzimin njerëzor dhe festën e ndërrimit të viteve. Ideja më e çmendur është quajtur ajo e disa satanistëve amerikanë, të cilët organizuan në këtë datë një meshë, të quajtur “e zezë”, në piramidën e Keopsit. Këtyre lloj kënaqësish njerëzimi u ka vënë një emër, sataniste. Kënaqësi dhe dhimbje, sataniste apo mazohiste, transmetonte kartolina e Edi Ramës. Për sadomazohizmin dhuna, dhimbja, të fusin në vrimën më të zezë dhe më të thellë të shpirtit, për të arritur kënaqësinë absolute, duke të shpënë përtej të gjithë kufijve të njohur deri më tash. Të përdorësh skemat e sadomazohizmit edhe në politikë bëhet e rrezikshme.
“Gëzuar protestën” nuk e kishim dëgjuar apo thënë ndonjëherë. Shpresojmë të mbetet i vetëm, në këtë urim makabër. Edhe pasuesit e tij më të flaktë nuk ua kanë thënë as familjarëve, as të dashurve, as të njohurve këtë urim. Por, me sa duket, askush nuk ka guxuar t’i dalë ndesh kësaj “dëshire” dhe “urimi” të kreut të tyre. Të shpresojmë që atë kartolinë të mos e marrin në librat e rekordeve “Guinness”, si të çuditshme apo si të lajthitur. Njerëzimi ka një konvencion të pashkruar. Edhe në luftërat më të egra të saj, në ndërrimin e viteve, është bërë armëpushim me të gjitha llojet e formave dhe të përmbajtjeve, sepse natyra njerëzore është mjaft vulnerabël ndaj disa marrëveshjeve, që ajo pretendon t’i respektojë, sidomos kur ato u takojnë të gjithëve. Mbase tingëllon disi fetare, por në një fundvit, të gjithë e meritojnë të gëzojnë dhe të festojnë, cilido qoftë ai. Urimi “Gëzuar protestën” tingëllon cinik t’ia kujtosh jo më t’ia urosh në një ditë feste të përbotshme. Lëreni këtë popull të superlodhur të gëzojë të paktën disa orë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›