Droutsas telefonon Metën për situatën në veri
Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, z. Dimitris P. Droutsas, telefonon zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve në veri të vendit. Gjatë bisedës telefonike, ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, z. Dimitris P. Droutsas, i shprehu zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, solidaritetin e Greqisë në këto momente të vështira, duke theksuar se “qeveria greke është pranë qeverisë dhe popullit shqiptar”. Në këtë kontekst, z. Droutsas i shprehu z. Meta gatishmërinë e Greqisë për të ndihmuar konkretisht në menaxhimin e gjendjes së krijuar si dhe për ndihmat e para të cilat qeveria greke i ka nisur në drejtim të Shqipërisë, asistencë që do të vazhdojë në varësi të nevojshmërisë në terren. Z. Meta e falënderoi z. Droutsas për përgjigjen e shpejtë të qeverisë greke ndaj kërkesës për ndihmë të qeverisë shqiptare dhe e informoi atë për masat e marra nga autoritetet shqiptare për menaxhimin me dëme sa më minimale të situatës së krijuar dhe për koordinimin e asistencës për familjet e prekura nga përmbytjet.