E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabime në shpërndarjen e këstit të parë, padi ish-të përndjekurve: Ktheni lekët

TIRANE - "Gabimet" e bëra në shpërndarjen e këstit të parë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit e regjimit komunist, mbërrijnë në Gjykatën e Tiranës. Përgjatë ditëve të fundit, Ministria e Financave, si institucioni që ka lëvruar lekët e dëmshpërblimeve, duke i hedhur në llogaritë e përfituesve, ka konstatuar se janë kryer gabime, ndaj ka hedhur në gjyq persona që kanë kaluar vite në tëra në burgje, apo familjarë të tyre. Dikasteri i Financave, kërkon prej tyre të kthejnë lekët e përfituara nga kësti i parë apo i dytë, pasi sikurse thuhet në padi i kanë marrë në mënyrë të padrejtë. Gjithashtu, kërkohet bllokimi i të gjitha llogarive të hapura në emrat e përfituesve.
Padia e parë
Të paditurit e parë nga Ministria e Financave dhe Sektori i Pagesave dhe Dëmshpërblimeve të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist, janë Gegë Prelaj, Marie Prela dhe Pashkë Prela. Objekti i padisë, është "kthimi i vlerës së përgjithshme prej 550 311 lekë. Vlerë kjo, sikurse theksohet në padi, është përfituar padrejtësisht në dhënien e këstit të parë të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve. Konkretisht, Gege Prela ka përfituar shumën prej 183.795 lekë; Pashke Prela, shumën prej 183.795 leke dhe Marie Mark Prela, shumën prej 183.795 lekë, shuma të cilat nëse urdhëron gjykata, duhet t'i kthejnë sërish në llogaritë e Ministrisë së Financave.
Padia e dytë
Spiro Rovaniku, sipas objektit të kërkesë-padisë së ngritur nga Ministria e Financave, duhet të kthejë vlerën prej 126247 lekë. Edhe në rastin e Rovanikut, pretendohet se vlera është përfituar padrejtësisht në dhënien e këstit të parë dhe të dytë të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politik. Në padi, veç të tjerash kërkohet dhe bllokimi i të gjitha llogarive të hapura në emër të Rovanikut, derisa çështja të shqyrtohet dhe gjykata të dalë me një vendim. Çështja civile sipas shortit elektronik i takon gjykatëses Antonela Prendi për ta shqyrtuar.
Padia e tretë
Në një padi të tretë të depozituar pak ditë më parë nga Ministria e Financave në rolin e paditësit, është ish i përndjekuri Xhevdet Rina. Ministria kërkon nga gjykata ta detyrojë Rinën të kthejë vlerën e përgjithshme prej 550,311 lekësh, vlerë kjo sipas saj, e përfituar padrejtësisht në dhënien e këstit të parë. Edhe në këtë rast, kërkohet bllokimi i të gjitha llogarive të hapura në emër të të paditurit, duke bërë sekuestron konservative të tyre, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga gjykata. Ministria e Financave ka shpërndarë këstin e parë të dëmshpërblimit për të gjithë ish- të përndjekurit politik dhe aktualisht është në përfundim të shpërndarjes së këstit të dytë. Ish-të përndjekurit politik do të shpërblehen për vitet e burgut të kryer gjatë regjimit komunist, përmes tri kësteve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›