Gabimet në pikënisjen e përcaktimit të kufirit
Analiza e kapitenit të rangut të parë, marinar prej shumë vitesh në Sarandë: Humbjet me gjiret dhe ishujt
Ka shumë kohë që po debatohet për marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për përcaktimin e kufijve në hapësirën detare, në zonën e Sarandës.
Ndërsa prej majit 2009 mediat dhe shoqëria civile kanë hedhur dyshime për paktin detar, duke e akuzuar qeverinë se i ka falur Greqisë pjesë të konsiderueshme të hapësirës detare shqiptare (rreth 354.4 km kartrorë) Ministria e Jashtme mbrohet duke me argumente kundër se "janë zbatuar konventat ndërkombëtare, se është zbatuar parimi i Konventës së vitit 1982, sipas barazlargësisë, që vijat e mesit ndan dy vendet dhe shelfin.
"Tirren" historitë nga qeveria për harta, ligje, përdorim kompasesh, përcaktime koordinatash e gati sa nuk thuhet se hapësira detare është matur në milje. Sikur këto janë bërë për herë të parë.
Ish-ministri negociator arrin më tutje duke thënë se: "do të ishte marrëzi përtej idiotësisë që negociatorët tanë të angazhoheshin te falja qoftë e një metri të territorit të Republikës" dhe shkon edhe më tej sikur kjo marrëveshje na qenka bërë me kërkesën e palës shqiptare (krijohet bindja), gjë që s'është e vërtetë.
Këtu shtrohet një problem. Nga nisesh për të përcaktuar kufirin detar? Po gjiret kush janë? Unë duke qenë se për shumë vite kam shërbyer në marinë në Sarandë dhe për hir të së vërtetës kemi patur probleme për ruajtjen e kufirit detar edhe për shkak të afërsisë me ishullin e Korfuzit, por gjithmonë ato i kemi zgjidhur me mirëkuptim, pasi kufijtë me Greqinë kanë qenë të mirëpërcaktuar dhe grekët, për hir të së vërtetës janë njohës të mirë të ligjeve e traditave detare.
Grupi negociator duhet të shkonte në bisedime midis palëve në mënyrë të veçantë me vijën bazë dhe gjirin e Sarandës të përcaktuar mirë, me ligje të shtetit shqiptar, përtej të cilave nuk negociohet.
Në një debat televiziv qeveria u mbrojt me fjalorin enciklopedik, ku ka të shprehur se: "Gjiri i Sarandës kufizohet në det nga vija që bashkon kepin Denta me kepin Paladha". Po, kështu shprehet.
Por këta zotërinj harrojnë një gjë që ne detarët e dimë mirë dhe në harta shkruhet fjala "radë" (gji) dhe çdo gji ka "radën" e brendshme dhe radën e jashtme. Rada e brendshme është për vendqëndrimin e anijeve para portit ose daljes nga porti, ndërsa rada e jashtme është për qëndrimin e anijeve si vend më i mbrojtur nga erërat dhe dallgët.
Prandaj këto janë dhe argumentet që përcaktojnë gjirin e Sarandës nga vija bashkuese - kepi i Qefalit me kepin e Stillos. Ndërsa për argumentimin si gji historik merren historianët. Në ndihmë të këtij argumenti na vjen (për analogji) edhe përcaktimi i gjirit të Shëngjinit.
Në fjalorin enciklopedik thuhet tekstualisht: "...gjiri i Drinit...ndërmjet kepit të Rodonit në Jug dhe deltës së Bunës në Veri. Brenda tij përfshihen 2 gjire më të vegjël ai i Shëngjinit në veri dhe i Rodonit në Jug". Pra dy gjire të vegjël që përbëjnë radën e brendshme dhe të jashtme.
Përpendikular me vijat bashkuese: Kepi i Qefalit - Kepi i Stillos dhe derdhja e Bunës - Kepi i Rodonit merret 12 milje që janë ujërat territoriale të Shqipërisë. Nga kjo bazë nisjeje (që janë me ligje e dokumente ndërkombëtare) llogaritë dalin ndryshe dhe ndoshta nuk do të ishte ky debat sot
Ishujt jonianë përbëjnë një arkipelag
Ne zotërinj, me këtë arkipelag përcaktojmë kufirin detar dhe jo me shtetin grek që e merrni si gadishull dhe me një të rënë të lapsit i fshini arkipelagun.
Pak histori: Ishujt jonianë përbëjnë një arkipelag grek në detin Jon, që është në anën e tezës që mbron profesor Pasha. Ky arkipelag përbëhet nga 6 ishuj të mëdhenj dhe disa ishuj të vegjël dhe shumë të vegjël.
Gjithsej Greqia ka 3000 ishuj, ku prej tyre 167 janë të banuar. Ishujt e mëdhenj jonianë janë: Korfu (Korfuzi), Kefalonia, Itaka, Zanete. Këta ishuj formojnë Eptaneso (gjashtëshe)) kështu janë quajtur në shekuj.
Ishujt më të vegjël janë Maganisi, Antiposo, Karigato, Etafonisos. Ky arkipelag me përjashtim të ishullit Karigato përbën një nga rajonet administrative greke të emërtuar "Ishujt jonianë").
Nisur nga pozicioni i rëndësishëm i tyre në hapësirën detare këto ishuj kanë kaluar sa nga një sovranitet në tjetrin.
Në vitin 1800 admirali rus Fjodor Ushakov në krye të ushtrisë ruso - turke i shkëputi nga dominimi i Francës dhe po në mars të vitit 1800 Cari e bëri shtet autonom të quajtur Republika Eptanese (ishujt jonianë).
Në vitin 1807 Franca i rimerr ishujt dhe në vitin 1815 ishujt kalojnë nën protektoratin anglez, ndërsa në vitin 1862 mbretëria angleze ia dhuroi mbretërisë greke për lidhjet familjare që kishin.
Pra në këtë argumentim s'ka vend të gjenden shkëmbinj që herë dalin e herë zhduken e që shërbejnë si alibi për të përcaktuar kufijtë detarë. Se kështu më e pakta është edhe injoranca brenda.
Myfit Qorduka
Kapiten i Rangut të Parë (kolonel në rezervë)
Parullë ironike përpara monumentit të Skënderbeut, ku shkruhej në gjuhen greke: "DHURATË".
Protesta e "Mjaft": Nuk mund të dhurojmë pasuritë tona
Lëvizja "Mjaft" protestoi dje në ora 12 përpara sheshit "Skënderbej" në lidhje me marrëveshjen e delimitimit kufitar ujor mes shtetit shqiptar dhe atij grek. Të rinjtë e lëvizjes së njohur rinore, kanë vendosur një parullë ironike përpara monumentit të Skënderbeut në qendër të kryeqytetit, ku kanë shkruar në gjuhën greke: "DHURATË".
Deklarata e "MJAFT" për protestën thotë: "Ndodhemi para këtij monumenti, simbol i qëndresës dhe unitetit të popullit shqiptar, për të vënë theksin te rreziku që i kanoset territoreve shqiptare nga paaftësia e qeverisë për të qëndruar si të barabartë në një marrëveshje që prek interesat e mbarë kombit. Një qeveri e paaftë për të vënë në plan të parë interesat e shqiptarëve dhe të mirëqenies së tyre, por që ka treguar aftësi në përmbushjen e interesave të fqinjëve tanë.
Lëvizja "Mjaft!" shpreh indinjatën ndaj marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për ndryshimin e kufijve ujorë.
"Mjaft!" beson se mungesa e transparencës mbi këtë ujdi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të vendit fqinj hedh dyshime të forta mbi bazat e këtij transaksioni politik dhe lëshimeve që mund të kenë ndodhur nga pala shqiptare. Sakaq, diçka është e qartë.
Dukshëm Shqipëria në këtë marrëveshje ka negociuar nga pozita e më të dobëtit dhe nuk ka kërkuar diçka të qenësishme në këmbim. Por edhe nëse diçka është kërkuar, përsëri publiku mbetet në errësirë të çdo detaji shtesë të bisedimeve.
Ne theksojmë se në këtë pikë është detyrë e qeverisë shqiptare të publikojë marrëveshjen e plotë me të gjitha anekset përkatëse dhe ta vërë këtë informacion në dispozicion të publikut.
Përndryshe, ne sikurse dhe çdo shqiptar, kemi detyrën të shqetësohemi dhe të besojmë se me kufijtë territorialë apo me premisat e zhvillimit të vendit, është luajtur një dramë, efektet e së cilës do t'i vuajnë brezat që vijnë.
Frika e madhe e të gjithëve ne, në këto ditë, është se fqinjëve tanë u është dhuruar një pasuri e pazëvendësueshme e Shqipërisë, jo thjesht në kontekstin territorial, por mbi të gjitha në nivel të besimit të tradhtuar të shqiptarëve. Të tradhtuar nga qeveria e tyre, e cila duhej t'i përfaqësonte dhe t'u mbronte interesat".