E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama dhe Klinton bashkojnë forcat

Dikur qenë rivalë të ashpër në Florida, gjatë nominimeve për kandidaturën presidenciale brenda Partisë Demokratike. Por Barak Obama dhe Hilari Klinton u përqafuan, u puthën e bashkuan forcat në Orlando, ku ndërmorën së bashku një fushatë treditore për të shtënë në dorë votat e disa shteteve kyçe që lëkunden mes dy forcave politike. Si rrallë ndonjëherë të dy u shfaqën përpara një publiku prej rreth 30 mijë vetësh, më së shumti mbështetës të zjarrtë, për të nisur kështu sa më ethshëm dy javët përfundimtare para datës së zgjedhjeve, më katër nëntor.

E prezantuar në skenë si "zonja e hekurt", Hilari foli me superlativa për aftësitë e kundërshtarit të dikurshëm dhe u kërkoi votuesve që dikur e kishin mbështetur në fazën primare, ta përdornin votën e tyre për Obamën. "Është një garë drejt finishit dhe nuk duhet të konsiderojmë asnjë votë të garantuar", tha ish-zonja e Parë. "Nëse trokitët nëpër dyer për mua, tani trokisni për Obamën. Nëse bëtë telefonata për mua, tani bëjini për Obamën".

Respekti i dyanshëm u shpalos edhe në anën tjetër, në çastin kur Obama u ngjit në podium për të mbajtur një fjalim 30-minutësh, i drejtuar kryesisht për shtresat e punëtorëve të Floridës. E përqafoi me ngrohtësi dhe e falënderoi për mbështetjen, si dhe për faktin që e prezantoi si "Presidenti i ardhshëm i Amerikës". "Hilari Klinton hodhi poshtë barrierat, duke frymëzuar miliona njerëz, tha kandidati presidencial. Jam krenar që e kam shoqe".

Prania e Hilari Klintonit, tepër popullore në Florida, konfirmoi qartë vendosmërinë e Obamës për të përdorur në këtë shtet, ku ka fituar Xhorxh Bushi gjatë dy zgjedhjeve të fundit, artilerinë e rëndë.

Gjatë tri ditëve të kësaj jave, Obama, e shoqja Mishel, Hilari dhe demokrati me peshë, Bill Riçardson, guvernator i Nju Meksikos, kanë ndër mend të shfaqen në 20 mitingje në këtë shtet.

Vetëm dy javë larg nga dita e votimeve, kur sondazhet tregojnë qartë avantazhin e Obamës, Klinton u kërkoi mbështetësve të mos ndiheshin të vetëkënaqur. "Nuk na lejohet të gabojmë, nuk na lejohet të ndalemi, nuk mund ta konsiderojmë të garantuar as edhe një votë të vetme, tha ajo. Le të nisim marshimin për të ngritur vendin tonë. Ka ardhur çasti t‘i japim mundësinë Barak Obamës të mbyllë librin e tetë viteve të dështuara të lidershipit republikan".

Përveç thirrjeve mbështetëse të të pranishmëve, kandidati pati fatin të dëgjonte edhe një seri lajmesh të mira. Të dhënat e publikuara të hënën tregonin se partia e tij kishte në Florida 600 mijë votues më shumë se republikanët, duke kthyer kokëposhtë disavantazhin prej 370 mijë votash të katër viteve më parë.

Elektorati i Floridës numëron më shumë se tetë milionë vota dhe janë votuesit e pavendosur ata që synon të bëjë për vete Obama, përkundrejt atyre votave që e di se janë të tijat.

Ndërkohë, katër nga pesë sondazhet e kryera gjatë këtyre ditëve të fundit i japin Obamës avantazh nga dy deri në pesë pikë mbi rivalin republikan në shtetin e Floridas, kryesim që ka nisur prej një muaji dhe që Obama ka ditur ta ruajë më së miri.

Teksa mijëra të pranishmit thërrisnin për t‘i treguar mbështetjen e plotë, Obama pa me vend të ngacmonte edhe kundërshtarin. "Florida po çirret për ndryshim, tha ai. Unë mund t‘u bëj ballë edhe dy javë sulmeve të tjera nga MekKeini, por Amerika nuk mund t‘i përballojë edhe katër vjet të tjera politikat e dështuara (ekonomike) republikane".

I ashtuquajturi Korridori I-4, për shkak të një autostrade të rëndësishme që kalon në zemrën e Floridës, është shumë i pasur për sa u përket votave të klasës punëtore dhe demokratët janë të sigurt se mund të fitojnë shumicën e tyre, duke qenë se një pjesë e mirë syresh në këtë klimë ekonomike shumë të rrezikshme shqetësohen seriozisht për vendet e punës.

Gjatë dy viteve të ardhshme, më shumë se 3 mijë e 5 qind vende pune do të mbyllen në Qendrën Hapësinore Kenedi, duke qenë se flota e fluturimeve shatëll është tërhequr, ndërkohë që Obama shpreson se një investim prej 2 miliardë dollarësh në NASA do të shërbejë për t‘i lehtësuar disi gjërat për vetë agjencinë, ashtu si edhe për punonjësit e saj.

Ky lajm është mirëpritur nga një grup që e quajnë veten Obamanutë, një grup punonjësish të industrisë hapësinore në Floridën Lindore dhe Qendrore, të cilët shpresojnë se kandidati i tyre do u japë hov planeve amerikane për fluturime të mëtejshme hapësinore pas vitit 2010. "Planet e Obamës do të ndihmojnë në ruajtjen e forcës punëtore në industrinë hapësinore në Florida dhe në gjithë vendin", tha Tim Beili, konsulent fluturimesh nga Titusvili, njëherësh edhe lideri që ka modifikuar logon zyrtare të fushatës së Obamës për t‘i dhënë nota intergalaktike.

Ndërkaq, Obama tha se ishte shumë i vendosur në domosdoshmërinë e gjetjes së rrugëve për të ulur nivelin e papunësisë në Florida, i cili, me koeficient 6.6 për qind, gjysmë përqindjeje më i lartë se mesatarja kombëtare, është edhe në nivelin më të lartë gjatë këtyre 14 viteve të fundit.

Votat e klasës punëtore të Floridas janë çelësi i "sjelljes së dritës së diellit në Uashington", u tha Obama të pranishmëve, ndërsa Hilari Klinton tha se kishte menduar një slogan të ri për Floridën: "Vende pune, shpirt, vende pune", një refren që u bë menjëherë shumë popullor.

Administrata e mundshme e demokratëve

Barak Obama i hedh sytë te republikanët Hagel, Geits, Dashle

Kandidatët "blu"

Nga e majta në të djathtë: Çak Hagel, senator i Nebraskës, i cili e shoqëroi Obamën gjatë udhëtimit në Irak, ndoshta Sekretar Shteti; Robert Geits, sekretari aktual i Mbrojtjes, mund ta ruajë postin edhe pas zgjedhjeve; Tom Dashle mendohet se ka shumë shanse të marrë postin e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë; dhe Lorenc Samers, ish-rektor i Harvardit, ndoshta shef i Thesarit.

Modeli që frymëzon Barak Obamën është ai i Abraham Linkolnit: pesha e rëndë e krizës aktuale nxjerr në skenë nevojën për zgjidhje bipartizane, individët dalin në plan të parë, ndërsa vullnetet politike në të dytin...

Dy emrat më të përmendur në listën e ministrave të mundshëm, Riçard Lugar dhe Çak Hagel, respektivisht senatorë të Indianës e Nebraskës: njëri prej tyre mund të jetë Sekretar Shteti nën administratën Obama. Gjatë debatit të fundit presidencial, duke folur për njerëzit që frekuentonte më dendur, Obama përmendi edhe emrin e gjeneralit Xheims Xhons, ish-komandant i forcave të NATO-s, i konsideruar i pavarur: shumë e vlerësuan si një lloj investimi. Xhons mund të bëhet numri dy i Departamentit të Shtetit, siç qe Strob Talbot nën Klintonin. Kandidatura tjetër, e konsideruar mjaft e fortë, është ajo e Robert Geits, i cili mund të vazhdojë të qëndrojë në Uashington si me Obamën, ashtu edhe me MekKeinin. Në postin tjetër të konsideruar shumë të rëndësishëm për politikat e jashtme është ajo e këshilltarit për sigurinë kombëtare. Kjo zgjedhje luhatet mes Suzan Rais dhe Xhim Steinberg, që të dy dikur kanë shërbyer nën administratën Klinton.

Në rast të një fitoreje nga ana e Obamës, ka shumë të ngjarë të vërejmë edhe kthimin e një zyrtari tjetër me peshë, atë të Lorenc Samers në Thesarin e Shtetit. Ish-rektori i Harvardit është pjesë e grupit të këshilltarëve ekonomikë me të cilët Obama kontakton pandërprerë, ku përfshihet dhe ish-shefi i Rezervës Federale, Pol Volker dhe një tjetër ish-ministër i Thesarit në administratën Klinton, Robert Rubin. Një tjetër konkurrent për postin e Henri Polson është presidenti i Rezervës Federale të Nju Jorkut, Pol Geithner.

Ndërkaq, ish-kreu i senatorëve republikanë konsiderohet kandidatura kryesore e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë. Emra të tjerë ministrash të mundshëm të administratës Obama janë ata të guvernatorëve të Arizonës, Xhanet Napolitano dhe ajo e Kanzasit, Ketlin Sibelius.

`

MekKein: Ekip bipartizan me Liberman dhe Bufet

Kandidatët "e kuq"

Nga e majta në të djathtë: Xho Liberman, senator i pavarur, zgjedhje e mundshme e MekKeinit për postin e Sekretarit të Shtetit; Robert Zolik, president i Bankës Botërore, është një alternativë për Libermanin; Uorren Bufet, miliarderi pro-Obamës, mund të marrë në dorë Thesarin e Shtetit; Riçard Armitexh, ish-numri 2 i Pauellit, mund të marrë në dorë Departamentin e Mbrojtjes

Dhe Xhon MekKein e thekson rëndësinë e mbështetjes edhe në anën tjetër. Edhe ai ka thënë shpesh se administrata e tij do të kishte identitet të fortë bipartizan. Sigurisht, emri i parë që ka në mendje është ai i Xho Libermanit, mik, koleg dhe mbështetës, senator i Konektikatit, kandidat për postin e zëvendëspresidentit me Al Gor.

Liberman, tani formalisht i pavarur, voton gjithnjë me demokratët, përveç çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë. MekKeini e donte si zëvendëspresident përpara se të hidhte bombën Sara Peilin, që rezultoi bumerang. Tashmë mund të shkonte në Departamentin e Shtetit.

Në Pentagon MekKeinit do t‘i vinte për shtat rikonfirmimi i Robert Geits, që mund të mos dojë të vazhdojë. Si alternativa ka dy emra: Xhon Lehman, ish-sekretar i Marinës Amerikane, i cili tani kryeson skuadrën që do kujdeset për tranzicionin nga njëra administratë te tjetra, në rast se do jetë MekKeini fituesi i zgjedhjeve; dhe Riçard Amitaxh, i cili qe numri dy i Kolin Pauell në Departamentin e Shtetit dhe që mbajti gjatë gjithë kohës qëndrim skeptik ndaj luftës në Irak.

Në Thesarin e Shtetit edhe MekKeini do çlirohej shpejt nga Henri Polson: zgjedhja e parë mund të binte mbi Presidentin aktual të Bankës Botërore, Robert Zolik, i cili mund të merrej në konsideratë edhe për Departamentin e Shtetit në rast se MekKein do vendoste se nuk mund të bënte pa Libermanin në Senat. Në një rast të tillë, vetë kandidati republikan ka folur për dy alternativa të mundshme për Departamentin e Thesarit: Uarren Bufet, magjistarin miliarder të bursës, i cili mbështet Obamën; ose Meg Uaitmen, ish-numri një i kompanisë eBay, një prej këshilltarëve të MekKeinit për ekonominë.

Emri i kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Maikëll Blumberg, është një tjetër prej atyre që zihen në gojë si pjesë e mundshme e administratës MekKein. Një tjetër emër i vlerësuar shumë nga pjesa konservatore e Partisë Republikane është ai i guvernatorit të Masaçusets, ish-kandidatit presidencial, Mit Romni.

Obama ndërpret fushatën

Anulon të gjitha planet për dy ditë, që të vizitojë gjyshen e sëmurë

Kthesë e papritur vetëm dy javë përpara votimeve presidenciale të 4 nëntorit. Kandidati demokrat, Barak Obama, njoftoi se do të ndërpresë për dy ditë fushatën elektorale, sepse do të udhëtojë drejt Havait, te gjyshja (nga e ëma) Medlin Dunham, e sëmurë rëndë. Sipas asaj që thonë disa prej mediave amerikane, gjyshja 85-vjeçare "po mban shpirtin ndër dhëmbë" vetëm për t‘i dhënë lamtumirën të nipit përpara se të vdesë. "Gjyshja e tij ka dalë nga spitali së fundmi, shpjegoi zëdhënësi Robert Gibs, dhe gjatë këtyre javëve gjendja e saj shëndetësore është rënduar në pikë kritike". Për të vrapuar te krahët e asaj që ai vetë e ka quajtur "gjyshja e bardhë", Obama ka vendosur të anulojë të gjitha planet e axhendës zgjedhore për të enjten dhe të premten. Mendohet se mund t‘i kthehet përsëri fushatës të shtunën.

Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të gjyshes vjen në një çast tepër kritik të fushatës së Obamës. Rivali republikan, Xhon MekKein, dhe zëvendësja e tij, Sara Peilin, i kanë ngritur shumë tonet kohët e fundit, duke e akuzuar për çdo lloj të zeze të mundshme. Dalja për dy ditë nga skena e fushatës lë një boshllëk të rrezikshëm, i cili mund të mbushet me lehtësi nga propaganda republikane. "Gjyshja, për senatorin Obama, ka qenë një prej njerëzve më të rëndësishëm në jetën e tij", bëri me dije zëdhënësi Gibs. "E ka rritur pikërisht ajo, bashkë me të ëmën e me gjyshin, që kur lindi e deri kur shkoi në universitet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›