E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH: Rregullorja e re për pensionet

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore aprovoi dje rregullat dhe procedurat e reja për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve.

Rregullorja e re e pensioneve është produkt i një pune të gjatë në grup dhe i diskutimeve të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore.

Rregullorja “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve” përbën një risi në disa drejtime.

Në radhët e qytetarëve, rregullorja e re e pensioneve paraqitet në dobi të qytetarëve, kryesisht tek ata në prag të pensionit.

“Përmes rregullores së re, ISSH synon përmirësimin e shërbimit me qëllim që çdo pension të jepet në kohë”, ka sqaruar zyrtarisht dje pas mbledhjes, Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Të gjithë ata që janë në prag të daljes në pension pleqërie kanë të drejtë që, pas miratimit të kësaj rregulloreje, të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore, një vit para arritjes së moshës për pension.

Kjo, për të plotësuar një kërkesë paraprake për pension, për të dorëzuar fotokopje të librezës së punës dhe për të deklaruar historikun e punës.

Rëndësia e këtij momenti është e madhe, si për personin e interesuar për pension, ashtu edhe për administratën e sigurimeve shoqërore.

Kjo periudhë do të vlente për të verifikuar në kohë historikun e punës, e cila, në mjaft raste është në qendra të ndryshme të punës, apo edhe në qytete apo fshatra të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Sipas diskutimeve të mbajtura dje në mbledhjen e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e ISSH-së për verifikim.

Ndërsa të interesuarit për të përfituar pension që në ditën e parë të plotësimit të afateve dhe kërkesave do ta përfitojnë menjëherë përfitimin, fill pas mbushjes së moshës.

Dokumentacioni i vjetërsisë në punë ka nevojë të verifikohet në burim në origjinë, pra të bëhen akt-verifikime të regjistrave themeltarë, të borderove, dokumentacionit përkatës për secilin person.

Administrata e Sigurimeve Shoqërore duhet të kryejë verifikimet në rrethin ku banon aktualisht i interesuari, qytetet ku ka punuar më parë, si dhe të shqyrtojë dokumentacionin në zyrat ku ka ushtruar profesionin.

“Me qëllim që të koordinohen, të monitorohen, të mos vonohen verifikimet është krijuar një sektor i ri pune që është quajtur Inspektorati i Përgjithshëm Koordinues”, sqaroi dje zyrtarisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Afati i përgjithshëm i caktimit të pensionit është i grafikuar, i shkallëzuar me ditë pune në secilën hallkë të procedurës së caktimit të pensionit, te secili inspektor. Sakaq, çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat ku njoftohet data e tij e aplikimit.

Aplikimi do të pranohet i firmosur nga vetë ai. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës, certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë martese për kërkueset femra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›