Rokada e shefave të rendit në komisariatet e Tiranës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka firmosur lëvizjet e numrave dy të pesë komisariateve të Tiranës. Shefat e rendit janë caktuar në detyra paralele, duke ndërruar kështu vetëm komisariat. I vetmi i paprekur nga këto lëvizje është shefi i rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë. Emërimet e reja janë firmosur dy ditë më parë nga numri një i uniformave blu dhe brenda më pak se 24 orë është zbardhur vendimi i transferimit të shefave të rendit, të cilët janë prezantuar dje në mesditë nëpër komisariate nga drejtuesit e këtyre të fundit. Ajo që bie në sy është ndërrimi i vendeve mes shefit të uniformave të Komisariatit të Policisë Nr. 4, Gazmend Hamitaj, me Sami Sharrën e Komisariatit Nr. 5. Në katër lëvizjet e tjera, shefi i rendit të Komisariatit Nr. 3, Selami Kapedani, merr të njëjtën detyrë në Komisariatin Nr. 2, ku zëvendëson Arsen Sinomatajn. Ky i fundit shkon në një pozicion paralel në Komisariatin Nr. 1, ndërsa Blerim Berbati, që mbante këtë detyrë, emërohet në Komisariatin Nr. 3 të Policisë së Tiranës, ku zëvendësoi Selami Kapedanin. Në shkresën që përcjell këto lëvizje thuhet se gjithçka është bërë për të forcuar edhe më shumë punën në komisariatet e kryeqytetit.
#