E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabuan me fanellat, priten gjoba për vlonjatët

 

Në adresë të klubit të Flamurtarit pritet që të vijë një gjobë e majme, për shkak se në ndeshjen e parë kundër Madhëruellit, javën e kaluar nuk janë respektuar disa kritere të UEFA-s. Sipas të deleguarve të këtij institucioni në atë ndeshje, disa nga tifozët janë akomoduar në një pjesë të tribunës që nuk ishte e pajisur me stola, ndërkohë që rregullorja e UEFA-s e ndalon një gjë të tillë. Ndërkaq, një tjetër gabim, sipas UEFA-s ka qenë edhe vendosja e reklamave në fanellë. Atje ku duhej të vendosej emri i lojtarit është vendosur logoja dhe emri i relkamës dhe kjo është e ndaluar. Në ndeshjen e ardhshme Flamurtari do të luajë me fanella të reja, por kjo nuk e shmang gjobën financiare. “U njoftuam për këtë punën e vendeve në stadium dhe kemi marrë vërejtje, por nuk besoj se do të ketë gjobë”, ka thënë shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi. Sa i përket problemit të fanellave, ai ka mohuar gjithçka. “Nuk kemi dijeni për këtë gjë. Nuk besoj se kemi bërë ndonjë gabim me fanellat, ndaj jam i bindur se nuk ka asnjë penalizim në lidhje me këtë. Gjithsesi, kundër Madhëruellit të enjten do të luajmë me fanella të tjera”, është shprehur Çipi.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›