E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevdet Feri: 2009, një vit i mbarë me 5 premiera

 

Alma Mile

Për të është pa frikë viti më i suksesshëm i kinematografisë shqiptare. Pranimi në “Euroimazh”, 5 premiera filmi e të tjera ngjarje, e bëjnë entuziast kryetarin e Qendrës Kombëtare Kinemato-grafike, Xhevdet Feri. Duke qeshur, të thotë se kur i mendon të gjitha projektet, që ka kaluar ndër duar e ka miratuar QKK, e zë dhimbja e kokës, por nuk mund të mos ndihet mirë, kur sheh se kinematografia shqiptare gjallon. Në një intervistë për “Panorama”, kryetari Feri, bën një panoramë të këtij viti të ngjeshur, filmat, projektet, apo festivalet që do të mbështesë.
Z. Feri, viti 2009, ka qenë i ngjeshur me ngjarje në fushën e kinematografisë shqiptare, ju si do ta përkufizonit?
Viti 2009 mund të konsiderohet si viti më i suksesshëm, gjatë epokës së reformimit të sistemit të kinematografisë, i cili zë fill në vitin ’96-’97, kur nga sistemi tradicional i prodhimit dhe i financimit, kaluam në sistemin e ri, ku QKK mbetet i vetmi autoritet shtetëror me qëllim financimin e prodhimit kinematografik. Në këtë sfidë, në këto 10 vjet, kineastët shqiptarë u përpëlitën, luftuan, por suksesi i parë ishte forcimi i sistemit, i cili filloi të jepte frytet e veta. Duke bashkëpunuar me subjekte evropiane, shumë të suksesshme, me buxhete të mëdha, është përmirësuar procesi i shpërndarjes, pasi ata, të interesuar për të siguruar sa më shumë para, mundësojnë që filmi të shëtisë sa më shumë. Përpos një farë fitimi financiar, ne përfitojmë promocionin e kinematografisë shqiptare. Ajo sot njihet në Evropë. Tashmë njihen regjisorë si Xhuvani, Minarolli, Koçi, etj., por njihet edhe kinematografia e vjetër. Kjo solli natyrshëm anëtarësimin në “Euroimazh”.
Çfarë përfitojmë realisht nga ky anëtarësim?
Për këtë vit ne kemi mbyllur procedurat për të paguar vetëm një pjesë të detyrimit tonë financiar, duke nisur nga shtatori. Kemi të drejtë të marrim pjesë në dy mbledhjet e radhës, në shtator dhe në dhjetor. “Euroimazhi” ka 4 programe, për bashkëprodhimin, shpërndarjen, financimin e kinemasë evropiane dhe dixhitalizimin e të gjithë prodhimit të mbështetur prej tij. Ne paguajmë një detyrim vjetor prej 103 mijë eurosh. Buxheti i “Euroimazh”-it është 22 milionë euro dhe të gjithë anëtarët janë të barabartë. Pavarësisht se sa pak paguan Shqipëria, nëse ne paraqitemi atje me një bashkëprodhim të mirë, me minimalisht dy vende të tjera të “Euroimazh”-it, përfitojmë të paktën 700 mijë euro financim. Por mund të fitohet edhe për shpërndarjen, ndërtimin e kinemave, etj. Tani sfida na mbetet neve. Mua nuk më duket edhe aq dramatike. Të gjithë filmat tanë janë bashkëprodhime me 2-3 anëtarë të “Euroimazh”-it dhe të gjitha projektet që kanë përfituar financime, apo janë nën kontratë me QKK, mund të aplikojnë për financime në mbledhjen e dhjetorit. Tani sfida ka filluar. Nëse nuk do ta shfrytëzojmë, atëherë do të humbasim 100 mijë euro në vit, nëse do ta shikojmë me përgjegjësi, them se “biznesi” është i kryer.
Gjatë këtij viti kemi parë dy premiera, priten të tjera?
Ky vit ka qenë i mbarë edhe për faktin që numëron 5 premiera. Dy janë kryer tashmë dhe brenda vjeshtës do të shohim filmin “Gjallë” të Artan Minarollit, “Lindje-Perëndim-Lindje” të Gjergj Xhuvanit, “Muaj mjalti”, prodhim shqiptaro-serb, i cili do të prezantohet në një nga seksionet e Festivalit të Venecias. Nuk do të lija pa përmendur një film të animuar, shumë të mirë, të një kineasti shqiptar që jeton në Greqi, një nga animatorët më të mirë që ka pasur “Kinostudio”-ja. Është një produksion shqiptaro-grek, për të cilin ne kemi dhënë një financim modest prej 15 mijë eurosh, por kushton rreth 100 mijë euro. Kur mendoj se sa shumë projekte janë paraqitur dhe sa shumë janë miratuar, dhimbja e kokës vazhdon deri në vitin 2010, fatura financiare është e lartë, por ky është tregues se ka një lloj entuziazmi tek ata që aspirojnë për kinematografinë. Gjithashtu, janë miratuar edhe 4 filma të tjerë të shkurtër. Joni Shanaj ka mbaruar një film me metrazh të gjatë, Pluton Vasi fillon xhirimet për një tjetër film, Edmond Budina, Andi Delijana, ndërsa ende nuk kemi vendosur mbi financimet për filmin e animuar dhe dokumentar. Por kemi ndërmarrë dhe një aksion politik, të cilin unë e kam shumë për zemër. Ne ftuam të gjithë të rinjtë, që kanë statusin e diplomantit, që të mblidheshin në njësi produksioni dhe të aplikonin në QKK për fonde për të realizuar prodhime me cilësi profesionale. Kjo është një mundësi që të rinjtë që mbarojnë shkollën, përveç një diplome të kenë edhe një patentë reale, një punë për ta treguar. Por kjo ka edhe efekt psikologjik tek të rinjtë, që shpesh herë, pas përfundimit të shkollës bien në depresion, pasi nuk kanë ku të venë.
QKK, është një organizatore dhe mbështetëse festivalesh, ç’aktivitete keni në patronazh këtë vit?
Kemi marrë 4 apo 5 kërkesa nga ana e festivaleve të ndryshme për mbështetje. Bëhet fjalë për TIFF, Festivalin e të Drejtave të Njeriut, “Giffoni”-n dhe atë të Filmit Shqiptar. Surpriza jonë e pakëndshme ishte mosaplikimi i Festivalit të Durrësit. Kam qenë iniciator për këtë festival dhe i kemi mbështetur, jo vetëm financiarisht, por me gjithë logjistikën tonë. Por ideja ishte që të bëhej një festival i Durrësit. Organizatorët të krijonin strukturat e tyre, ndërsa ne do të vazhdonim t’i mbështesnim. Mungesa e aplikimit shkaktoi dëshpërim, pasi menduam se nuk do të zhvillohej. Lajmi që ai do të jetë së shpejti është befasues për mirë, pasi kënaqem që ata të kenë gjetur të gjitha burimet financiare e organizative. Befasia e tretë është personale. Duke qenë ideator dhe mbështetës i atij festivali i marr vesh gjërat, jo vetëm i fundit, por nga mediat. Nëse kanë menduar që nuk kanë nevojë për QKK, atëherë do të thotë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet. Pra do të kemi dy festivale ndërkombëtarë, një që zhvillohet së shpejti dhe tjetri TIFF. Këta të fundit duan ta hapin hapësirën e konkurrimit, jo vetëm për filmin e shkurtër, pasi gjatë këtyre edicioneve kanë shfaqur edhe filma të gjatë shumë të mirë. Bordi ishte shumë entuziast, por u kemi vënë kritere të forta. U kemi dhënë vetëm 40% të fondeve dhe pjesën tjetër vetëm nëse festivali do të paraqitet me ato parametra që ata e kanë prezantuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›