E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndaleni masakrën mbi qen

Aktorja e famshme, Brigitte Bardot, i ka çuar letër komandantit të KFOR’it, Erhard Buhler, duke kërkuar që “të ndalet masakra” mbi qentë endacakë në Prishtinë. Nga Express më 14 maj 2011 në ora 15:00

Aktorja e famshme franceze, Brigitte Bardot, sërish interesohet për mbrojtjen e qenve në Prishtinë. Ajo i ka bërë thirrje komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler që të "ndalë masakrën" e qenve në Prishtinë.

"Unë ju lutem që të hetoni sulmet e bëra ndaj qenve në Prishtinë, brenda tri javëve të kaluara dhe ju bëj thirrje që të ndaloni atë masakër", shkruan Bardot në letër, njofton AFP. "Mbi 200 qen janë vrarë, ndërsa me dhjetëra i janë nënshtruar agonisë së gjatë", shton Bardot.

Ajo rikujton se në vitin 2007, ndaj apelit të saj ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, për të penguar "vrasjet brutale të qenve endacakë në qytet”.

Atëbotë, Bardot i kishte shkruar letër Ismet Beqirit, në të cilën kishte shprehur shqetësimet e saj po për këtë çështje. Aktorja rikujton se edhe atëherë bënte thirrje për programin e sterilizimit. "Pres që të veproni shpejt, për të penguar përdorimin e armëve dhe të ndaloni vrasjen", thuhet në letrën e Bardot dërguar Buhlerit.

Aksioni për vrasjen e qenve endacakë në Prishtinë, javët e fundit, ka ngjallur edhe reagime të tjera. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është shprehur shumë i shqetësuar me skenat dhe mënyrën e vrasjes së qenve.

“Skenat e vrasjeve të qenve endacakë në qytetin e Prishtinës thuhet se janë të papranueshme, si në aspektin e mënyrës si bëhet kjo, ashtu edhe në aspektin si bëhet pastaj bartja e qenve të vrarë”, është shprehur KMDLNJ në reagim.

KMDLNJ mendon se këto skena janë irrituese dhe tmerruese dhe se vrasja e qenve është bërë si të ishte lojë argëtimi për gjuetarët.

“Për KMDLNJ-në, mënyra e zgjedhur për të eliminuar qentë endacakë nuk është e përshtatshme dhe ndikon direkt në psikologjinë e publikut. Ato përçojnë një mesazh shumë të keq për publikun që i ka parë ato skena në televizion”, thuhet në reagim.
KMDLNJ-ja konsideron se organet përgjegjëse të Komunës duhet të tregohen më të kujdesshme kur ndërmarrin aksione të tilla. Ato duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të mos shqetësojnë qytetarin.

“Agjencia veterinare duhet të gjejë mënyra të tjera për të eliminuar qentë endacakë duke u mbështetur në përvojat e shteteve të tjera që eliminimin e qenve endacakë e bëjnë larg syve të opinionit dhe me mjete të lejuara”, thuhet në reagim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›