E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa e Obamës,tension diplomatik mes Polonisë dhe SHBA

Gazeta Shqip

Amerikanët kërkojnë ndjesë. Polakët jemi fyer nga shprehja e Obamës: Kamp përqendrimi polak

Një gafë e presidentit amerikan, Barack Obama, ka krijuar tension diplomatik mes Polonisë dhe SHBA-së. Kryeministri polak, Donald Tusk, është shprehur se pret më tepër se disa  falje formale për shprehjen: “kamp përqendrimi polak e përdorur nga Obama, teksa i referohej një strukture e përdorur nga nazistët për të shfarosur hebrenjtë.

Numri 1 i Shtëpisë së Bardhë, e kishte përdorur frazën gjatë ceremonisë së dorëzimit të një medaljeje pas vdekjeje për Jan Karski, ish-zyrtar polak, i cili dha dëshmi të mizorive të kryera mbi hebrenjtë nga nazistët.

Kërkojmë falje, por bëhet fjalë për një gabim të shprehuri të presidentit, ka deklaruar Tommy Vietor, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Megjithë deklaratat e amerikanëve, për kryeministrin polak ndjesa publike nuk ka qenë e mjaftueshme. Sipas tij populli  polak ka mbetur i brengosur nga gabimi i Obamës.

Jam i bindur se miqtë tanë amerikanë mund të bëjnë më tepër për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë, gabimeve të tilla, ka deklaruar Tusk. Ndërkaq opozita dhe opinioni publik polak kanë protestuar ndaj shprehjes së përdorur nga Obama. Ish-kryeministri polak, konservatori Jaroslaw Kaczynski, është shprehur se Obama: Ka fyer polakët.

Qeveria polake ka qenë gjithmonë e kujdesshme për mënyrën sesi media në të gjithë botën shprehet rreth kampeve të vdekjes, që kontrolloheshin nga gjermanët në Poloninë e pushtuar. Kjo për faktin se Polonia kërkon të shmangë në çdo mënyrë, koston që mund të sjelli përshtypja e një përgjegjësie nga ana e polakëve për masakrat.

30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Gafa e Obamës,tension diplomatik mes Polonisë dhe SHBA burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›