Tërmeti në Itali, arrin në 17 numri i viktimave
Dhjetëra mijëra persona kalojnë natën jashtë nga frika e dridhjeve të tokës, që kanë vijuar edhe sot
Thellohet bilanci i tërmetit të fuqishëm që preku veriun e Italisë, një ditë më parë. Sipas mediave italiane, pak orë më parë është nxjerrë nga rrënojat trupi i një 37-vjeçari, duke e çuar në 17 numrin e viktimave. Ndërkohë raportohen 10 persona të humbur, mbi 350 persona të plagosur dhe rreth 14 mijë të pastrehë.
Disa dhjetëra tërmete të vegjël kanë tronditur krahinën e Emilia Romanjës në Italinë e Veriut, gjatë natës dhe mëngjesit të ditës së mërkurë duke shtuar panikun e banorëve të zonës. Nga frika e goditjeve të reja, dhjetëra mijëra persona kaluan natën në ambient të hapur, duke fjetur me batanije apo në çadra.
Shefi i mbrojtjes civile, Franco Gabrielli, bëri të ditur se tani po punohet për strehimin e mijëra personave edhe me ngritjen e pesë kampeve të tjerë.
Ndërsa Këshilli i Ministrave vendosi masat e para për të përballuar emergjencën e krijuar: shtyrje deri në shtator në pagimin e taksave për banorët e zonave të goditura dhe një rritje prej 2 cent në taksën mbi benzinën, shumë që do të shkojë për të prekurit nga tërmeti.
Në një apel publik, kryeministri Mario Monti ka kërkuar solidaritet në këto orë të vështira duke i bërë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë të prekurit nga tragjedia. Dua të siguroj që shteti italian do të bëjë të pamundurën për të asistuar në kohën sa më të shkurtër dhe për të garantuar rikthimin në jetën normale për të gjithë të prekurit e kësaj zone, që është kaq e veçantë, e rëndësishme dhe thelbësore për vendin tonë, deklaroi Monti.
30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Tërmeti në Itali, arrin në 17 numri i viktimave burimi: Gazeta Shqip