Gafat e Berishës me Kushtetutën dhe neni për referendumet

Vendimi i Berishës për të kërkuar referendum nuk ka referencë as nenin 155 që thotë Berisha, i cili është nen që rregullon veprimtaritë tatimore, as nenin 150 i cili flet për referendumin, por nenin 177 të Kushtetutës, të cilit Gjykata Kushtetuese i është referuar për referendumet që duan të bëjnë ndryshime kushtetuese.
Nisma e maxhorancës nuk kërkon thjesht referendum për një çështje të zakonshme, por kërkon rishikimin e Kushtetutës së vendit. Pikërisht për shkak se kërkohet rishikimi i Kushtetutës, në këtë pikë hyn në lojë një tjetër nen, që është ai 177, i cili sanksionon se projekt/amendamentet kushtetuese kërkojnë votimin me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit.
Kjo konfirmohet qartë edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në korrik të vitit 2009.
Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillimin e procedurave për mbajtjen e një referendumi popullor për shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese në prill të vitit 2008.
Pasi KQZ e hodhi poshtë kërkesën e LSI, kjo e fundit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila pas shqyrtimit të çështjes u shpreh se: Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese vetëm brenda kufijve të parashikuar nga neni 177.
Dhe në këtë nen, në pikën katër të tij, sanksionohet se Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij që projekt/amendamentet kushtetuese të votohen me referendum, çka duket se pavarësisht këmbënguljes, nuk i lë shumë hapësira maxhorancës për nismën e saj.