E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafë e Juventusit, Leçe rihap betejën për titull

ITALI- Juventusi ka bërë një gafë të rëndë në betejën për titullin kampion, duke barazuar 1-1 ndaj Leçes në shtëpi, në një ndeshje të dominuar nga fillimi në fund, por që skuadra e Kontes nuk ka ditur ta bëjë të sajën. Një shans i artë për bardhezinjtë, të cilët kishin mundësi të bënin çfarë të donin në fushën e lojës. Por, nënvlerësimi i kundërshtarit kur Leçe mbeti me 10 vetë, bëri që gjithçka të hidhej në erë. Bertolaçi ka barazuar golin e Marçizios 5 minuta para fundit, duke lënë të shokuar të pranishmit në "Juventus Stadium". Një mundësi e shkuar dëm për skuadrën e Kontes, së cilës nuk i falet asnjë gabim në dy javët e mbetura. Milani tashmë është vetëm 1 pikë larg dhe kampionati italian është më i hapur se kurrë. Gjithsesi, Juve mbetet ende favorite, pavarësisht se avantazhi tashmë është minimizuar. 
NDESHJA 
Juventusi ka kaluar në avantazh që në minutën e 9- të, kur Marçizio arriti të shënonte me kokë pas një asisti të Pirlos. Edhe pas këtij momenti, kanë qenë bardhezinjtë ata që kanë bërë lojën. Në fillim Vidal për pak sa nuk dyfishoi, pas një gabimi të portierit Benasi,por topi u ndal nga shpina e Miljonikos. Më pas ishte sërish kileni që i shkoi shumë pranë golit, ndërsa në fundin e pjesës së parë Marçizio për pak nuk shënoi pas një goditje nga jashtë zonës, që u devijua nga portieri. Në fillimin e pjesës së dytë, puljezët mbetën me 10 vetë, pasi Kuadrado u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje në kohë vonesë kundër Kaseres. Juventusi ka vijuar më tej me rastet për gol, por ishte Leçe ajo që shënoi 5 minuta para fundit me anë të Bertolaçit. Megjithë mësymjen finale, bardhezinjtë nuk arritën të gjenin dot golin e fitores. 
MILANI 
Në "San Siro", Milani ka mundur 2-0 Atalantën dhe tashmë beson akoma më shumë te titulli kampion. Dy gola, në fillim dhe në fund të ndeshjes, u kanë mjaftuar kampionëve të Italisë për të qenë 1 pikë larg Juventusit. Goli i parë i takimit të djeshëm mban firmën e Sullej Muntarit. Ishte Kevin Prins Boateng, ai që i shërbeu një top të artë shokut të tij të ekipit në kombëtaren ganeze. Më pas, një kombimin mes Kasanos e Ibrahimoviç për pak sjell golin e dytë, ndërkohë që në startin e pjesës së dytë nuk mungoi një rast i pastër për Atalantën. 10 minuta para fundit. Ibrahimoviç humbi dy mundësi të mira për të mbyllur takimin, ndërkohë që në kohën shtesë mendoi Robinjo ta bënte diçka të tillë. Të dielën Milani do të ndeshet me Interin, në derbin e Madoninas, një sfidë që nuk duhet humbur. RËNIA Në zonën e rënies, përveç barazimit të Leçes, spikat edhe fitorja 2-1 e Xhenoas ndaj Kaljarit. Kuqeblutë kanë gjetur rrugën e fitores pas gati tre muajsh dhe tashmë e shohin qëndrimin në kategori më pranë. Gjithsesi, Leçe beson dhe barazimi i mbrëmshëm në Torino e tregon mjaft mirë këtë. Ndërkohë, kanë shpëtuar Fiorentina e Siena, ndërsa Novara është përfundimisht e rënë pas barazimit 2-2 me Fiorentinën, duke shoqëruar Çezenën në kategorinë e dytë. Në takimet e tjera, Bolonja fitoi 1-0 ndaj Katanias, duke i dhënë fund ecurisë së mirë të siçilianëve në fushën e tyre.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›