E Diel, 1 Nëntor 2026

Galak: Eulex OK, Beogradi të bashkëpunojë

Bruksel -Zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana, Kristina Galak thotë se në BE janë "shumë të kënaqur me mënyrën se si ka punuar EULEX". "Mendojmë se viti i kaluar ka qenë shumë i mirë për Kosovën dhe për rajonin, dhe se EULEX-i po luan një rol fondamental. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Serbia që të bashkëpunojë me EULEX-in dhe po vendosim mekanizmat e vërtetë", tha zëdhënësja Galak në një intervistë dhënë BBC-së. Ajo bëri të ditur se Solana "brenda orësh" do të emërojë një përfaqësues të tij në Beograd dhe kjo gjithashtu do të ndihmojë bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe BE-së, e gjithashtu edhe me misionin e EULEX-it.

"Ne e mirëpresim faktin që secili t'i përmbahet përkushtimit të tij, në këtë rrafsh edhe Beogradi. Në të njëjtën kohë ne po vazhdojmë të punojmë me autoritetet e Kosovës", tha Galak. Sipas saj, BE ka punuar me Serbinë që nga momenti kur EULEX i është krijuar, duke kërkuar nga Beogradi që të sigurojë se të gjitha përkushtimet që ka marrë janë përmbushur.

Lidhur me qëndrimin e një grupi parlamentarësh serbë në veri të Kosovës më 17 shkurt, Galak thotë se "kjo është një çështje, rreth së cilës nuk do të duhej të çonim shumë pluhur", por vetëm duhet siguruar se Beogradi po bashkëpunon. Galak bëri të ditur se në dialogun mes Prishtinës e Beogradit do të jetë një përfaqësues i Havier Solanës, i cili do të merret çdo ditë me çështjet aktuale.

"Ne jemi të bindur se do të jetë i dobishëm për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe BE së",-tha ajo. Sipas saj, përfaqësuesi i Solanës do të jetë ndërlidhës ndërmjet autoriteteve lokale rreth çështjeve aktuale që duhet të adresohen, "sepse Beogradi, pra Serbia, është një partner fundamental i BE së, aq sa edhe Kosova është partner fundamental i BE-së".

"Prandaj është në interes të Kosovës dhe të Serbisë që të kenë lidhje të fuqishme me BE në. Duke pasur një zyre ndërlidhëse në Beograd mund vetëm të ndihmojë që të shikohen dhe të adresohen çështjet që kanë të bëjnë me përditshmërinë", tha Galak. Një vit pas pavarësisë, Galak thotë se në BE janë "shumë të bindur se Kosova, dhe në përgjithësi rajoni janë më stabil sot se sa vitin e kaluar". Megjithatë ajo pohon se situata në Kosovë nuk është ashtu siç do të donin ta shihnin.

"Ka një numër të madh të çështjeve që duam të shohim se Kosova po i përmbush dhe për këtë arsye ne jemi atje për të ndihmuar", theksoi Galak, duke shtuar se autoritetet në Kosovë duhet të bëjnë shumëçka, "jo për ta kënaqur BE-në, por për të përmbushur ambiciet e qytetarëve të Kosovës", theksoi zëdhënësja e Solanës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›