E Diel, 1 Nëntor 2026

Galaktikasit e Real zbresin ne Tiranë: Te lumtur qe do luajme ketu

TIRANE-Ka mbërritur në Tiranë skuadra e Realit të Madridit, që do të luajë një ndeshje miqësore me Gramozin e Ersekës, e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut “Tacci Oil”. Nën masa tepër të forta sigurie, yjet e klubit madrilène kanë qenë rreth orës 12.40 në hotel “Sheraton”,aty ku trajneri Pelegrini,Kristiano Ronaldo dhe Rikardo Kaka kanë dhënë konferencën e parë për shtyp në tokën shqiptare. Zëvendës presidentja e Tacci Oil, Anika Tacci e quajti një mundësi të artë ardhjen e klubit spanjoll në Tiranë, për më tepër sic tha ajo që kjo ndeshje ka për synim mbledhjen e fondeve për familjet e përmbytura në Shkodër. Ndërkaq, trajneri Pelegrini u shpreh se kjo nuk do të jetë vetëm një stërvitje, por një ndeshje që ka për qëllim të zbavisë njerëzit. “E dimë që këtu ka qenë më përpara edhe Milani,por jemi të lumtur që do të luajmë një ndeshje të tillë,e cila ka për qëllim t’u vijë në ndihmë familjeve në Veriun e Shqipërisë. Dua të falënderoj kompaninë Tacci Oil që na ftoi dhe shpresojmë të dhurojmë një ndeshje të bukur për njerëzit që do të jenë në stadium”. Ndërkohë, Kristiano Ronaldou dërgoi një mesazh fëmijëve shqiptarë ndërsa pranoi se në vizitën e fundit në Tiranë nuk ishte kaq i kënaqur. “Edhe une si shumë fëmijë në Shqipëri kam kaluar një fëmijëri të vështirë dhe shpresoj që atyre t’u lindë dëshira për të luajtur futboll dhe të kënaqen,pse jo duke nisur nga ndeshja e sotme e Realit të Madridit. herën e fundit që kam qenë këtu ishte një ndeshje kualifikuese dhe natyrisht që unë isha më shumë serioz, sepse atëherë edhe kombëtarja portugeze ishte në pozicion të vështirë. Sot jam më i qeshur dhe shpresoj t’I zbavisim ata që do të jenë në stadium”. Për Rikardo Kakanë kjo është hera e dytë që vjen në Shqipëri pas asaj të 12 majit, kur Milani u ndesh me kombëtaren B. “Nuk kam patur shumë kohë të shoh ndryshimet nga ndeshja e parë, megjithatë është kënaqësi që jam sërish këtu. Tani nuk jam më te Milani, por ish-skuadra ime po lufton për titullin kampion dhe më bëhet qejfi për këtë. Megjithatë ndjehem i lumtur te Reali i Madridit dhe nuk jam penduar që jam larguar nga Milani. Them se kam bërë zgjedhjen më të mirë". (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›