E Diel, 1 Nëntor 2026

Një raport, as ‘i bardhë’ e as ‘i zi’

Dje dolën në dritë sugjerimet e raporterëve të Këshillit të Evropës që pak kohë më parë, në fundvitin e kaluar, për të parë nga afër ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të qershorit 2009. Që në faqen e tij të parë, jashtë kronologjisë së ngjarjeve, aty ku qartazi thuhet “Përmbledhja”, ekziston të paktën një ide e re nga ato të thëna e stërthëna deri më tani: e para dhe më e rëndësishmja: i kërkohet kreut të shtetit Bamir Topi të mbledhë një tavolinë me krerët e partive, për të kryer një rol ndërmjetësues në zgjidhjen e krizës politike, e pranuar si e tillë nga Këshilli i Evropës. E gjithashtu, kërkohet përfundimi i bojkotit të opozitës e sugjerimi që kjo e fundit të hyjë në kuvend, të pranohet rezultati i zgjedhjeve e maxhoranca të nisë menjëherë “pa asnjë vonesë” procedurat për ngritjen e komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet. Veç rolit ndërmjetësues të kreut të shtetit, të tjerat janë fraza të dëgjuara, ditë pas dite e kohë pas kohe nga ndërkombëtarët që na asistojnë për reformat. Por duket se dhe këto sugjerime nuk vijnë logjikshëm dhe në sikron njëra me tjetrën. Pra, kërkohet që të kthehet opozita në kuvend, dhe të ngrihet komision hetimor. Po cili do të jetë roli i Presidentit nëse këto dy çështje, sipas rekomandimeve do të zgjidhen në mënyrën e sugjeruar nga Këshilli i Evropës? Pak kohë më parë Edi Rama i kërkoi takim kreut të shtetit për zgjidhjen e krizës, sipas njoftimeve në media, folën gjerë e gjatë dhe si konkluzion u la që edhe kryeministri Berisha të takonte presidentin, një takim, që në fakt nuk është realizuar. Pra, në rastin konkret duket se ka dhe një ngërç institucional, që do të thotë se kryeministri prej kohësh nuk ka kontakte me presidentin e Republikës, dhe për sa kohë që e ka refuzuar, ndoshta, deri më tani, nuk do ta pranonte këtë të fundit në rolin e ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës politike në vend. Do të ishte shumë mirë që palët të uleshin në një tavolinë dhe të diskutonin, por po aq, do të ishte më e ndershme, që në raportin e raporterëve të Këshillit të Evropës, të evidentoheshin edhe këto probleme institucionale në vend. Parë në këtë këndvështrim, opozita deri më tani, asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e këtyre zgjedhjeve, (fakt ky i shënuar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në raportin e raporterëve të KE). Madje në deklarime të paradomuajve nga ana e kryetarit të PS, “hapja e kutive nuk ka për qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, por leximit të drejtë dhe të saktë të votës së hedhur në kuti”. Hapja e kutive, duket të jetë “thembra e Akilit” për ngërçin politik të krijuar, dhe sado të ketë sugjerime dhe rekomandime të ndërkombëtarëve, opozita nuk mund të tërhiqet apriori nga kërkesa e saj. Nëse kjo do të ndodhte, kjo do të kishte pasoja të pariparueshme për opozitën: e para, aksioni i saj politik për më shumë se 7 muaj tashmë do të rrëzohej poshtë dhe do të ulte kredibilitetin jo vetëm të kreut të saj Edi Rama, por edhe të mbështetësve të tij, dhe e dyta, do të legjitimonte faktin se proceset zgjedhore në Shqipëri mund të zhvillohen dhe të konsiderohen normale, edhe pse mund të ketë lexim jonormal të votës. Nëse për ndërkombëtarët, Shqipëria është një vend eksperimental, ku demokracia matet me logjikën e të fortit dhe jo të konkurrencës, ku transparenca për një proces zgjedhor humbet në fraza e fjali të paqarta diplomatike, e ku zërat që vijnë e ikin me sugjerime e rekomandime janë për të “trazuar” ujërat, e jo për t’i kthjelluar ato, më mirë është të shikojmë sesi të zgjidhim situatën mes nesh. Të përdorim ato “kanalet e komunikimit jozyrtare” që përmendi në fund-dhjetorin e kaluar ambasadori amerikan Withers në intervistën për Gazeta Shqiptare. Vetëm duke lexuar drejt votën, do të kemi mundësi dhe duhet t’i themi me plot gojën deputetëve të opozitës të zënë vendet që i takojnë në Kuvend. Nëse jo, precedenti që krijohet do të jetë ai më i rrezikshmi në këto 20 vjet demokraci në Shqipëri, me kosto e pasoja jo për politikën, por për popullin shqiptar. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›