E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare e Arteve Jetojmë së bashku, dialogu ndërkulturor nëpërmjet fotove

Ekspozita është eventi përmbyllës i një projekti dy vjeçar të British Council në Europën Juglindore
Jetojmë së bashku quhet ekspozita që do të hapet të martën, datë 17 mars në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë nga Këshilli Britanik dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo ekspozite është eventi përmbyllës i një projekti dy vjeçar të British Council në Europën Juglindore, që synoi të eksploronte multidimensionin e dialogut ndërkulturor në Europë moderne, duke punuar në disa sfera njëherësh; studim fenomeni dhe dialog institucional, arsimin dhe zhvillim kurrikule dhe së fundmi. Ekspozita, duke eksploruar nëpërmjet artit të fotografisë sjell çështje të kohëzionit social, multikulturalismit, migrimit dhe bashkëjetesës. Në qendër të kësaj ekspozite me 60 fotografi do të jetë dialogu ndërkulturor në Europë. Kjo nismë është në kuadër të Vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor i shpallur nga Këshilli i Europës. Risia që sjell kjo ekspozitë është përfshirja në të e artistëve të rinj, të cilët kanë realizuar 20 punime nga 60 të paraqitura, duke sjellë në to këndvështrime të ndryshme. Nga zyra shtypit pranë GKA bëhet e ditur se: Punimet e artistëve të rinj të paraqitura në këtë ekspozitë janë më të mirat e përzgjedhura nga konkurse të ndryshme për të rinjtë si Konkursi i Fotografisë Dixhitale, Konkursi i Fotografisë mes Shkolla dhe aktiviteti Treasure Hunt (gjej thesarin)  i organizuar nga Këshilli Britanik në muajin nëntor 2008. Ekspozita Jetojmë së bashku është aktiviteti që mbyll projektin dy vjeçar të Këshillit Britanik në Europën Juglindore. Ky projekt synoi të eksploronte dimensionet e shumta të dialogut ndërkulturor duke punuar në disa sfera njëherësh, si në dialogun institucional, arsimin, etj, dhe së fundmi nëpërmjet artit të fotografisë. Punimet e ekspozuara janë më të mirat jo vetëm të artistëve profesionistë që punuan në këtë projekt  (Alban Hajdinaj, Shpëtim Kërçova dhe Idlir Koka), por pasurohen nga këndvështrimi origjinal i të rinjve të angazhuar me projektin nëpërmjet formave të ndryshme të artit. Nga 60 punimet e paraqitura rreth 20 vijnë nga të rinj të moshës 15 -35 vjeç, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit. Këndvështrimi i tyre është i rëndësishëm, sepse është premisë për ndryshimet e kërkuara, shprehet zëdhënësja e Galerisë Kombëtare të Arteve. Një ekspozitë e tillë me këtë tematikë vjen për herë të parë në GKA. Në morinë e ekspozitave në GKA kanë ardhur shumë emra të talentuar të artit pamor, shqiptarë dhe të huaj. Kështu në datën 10 shkurt ishte ekspozita fotografike Besa e fotografit amerikan Norman Gerchman. Ndërkohë që në sallën e dytë u hap ekspozita tjetër fotografike e kroatit Ivo Perlan, një bashkëpunim ky me Ambasadën Kroate në vendin tonë. Por në agjendën  e këtij viti, ashtu sikurse dhe viti i kaluar janë dhe ekspozita vetjake. Në vijim të ekspozitave në muajin maj do të çelet  ekspozita me veprat të fondit të GKA me titull Udhëtarë të huaj që kanë pikturuar në Shqipëri, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 qershor. Muaji korrik, gusht, shtator dhe tetor nuk do të ketë ekspozita, pasi sallat do të jenë në rikonstruksion. Kjo periudhë do të pasohet me ekspozita me autorë shqiptarë të traditës, më pas do të vijnë vepra të autorëve Kiço Kristiko dhe Zef Shoshi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›