E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galeria e Arteve Ivo Pervan vjen me Ngjyrat e Kroacisë

Ekspozita e parë e këtij viti në GKA përfshin 60 foto, të cilat janë të realizuara në periudha të ndryshme nga fotografi kroat
Ngjyra nga Kroacia titullohet ekspozita e fotografi kroat Ivo Pervan, e cila do të çelet nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita e parë e këtij viti në GKA përfshin 60 foto të tij, të cilat janë të realizuara në periudha të ndryshme nga fotografi kroat. Artisti do të jetë prezent nesër në ceremoninë e hapjes së ekspozitës dhe do të prezantojë fotot e tij. Kroati Ivo Pervan është një figurë qendrore dhe shumë e njohur e fotografisë në lëmin e turizmit dhe ka kontribuar në mënyre vitale për promocionin e imazhit të Kroacisë në botë. Ivo Pervan lindi më 24 qershor 1947 në Zadvarje, Split. Dashuria e tij për fotografinë fillon qysh në shkollën e mesme, ku për herë të parë ra në kontakt me fotografinë. Kushtet e tij modeste nuk ndikuan zhvillimin dhe intensifikimin e energjive të tij kreative. Ai ka qenë një fotograf  profesionist  qysh në vitin 1980, dhe ka filluar të punojë në mënyrë të pavarur që në vitin 1990. Çmimin e parë ndërkombëtar e ka marrë në vitin 1992,Vjenë në gjininë e posterit titulluar SPLIT, gjithashtu mori vendin e parë në konkurs ndërkombëtar për posterin turistik. Sot, fotot e tij mund t'i gjejmë në shumë publikime turistike, individuale, dhe kolektive. Punët e tij në kulturën e Kroacisë janë shumë të realizuara, jo vetëm në aspektin kulturor dhe natyror, por veçanërisht nga ana artistike. Fotot e Ivo Pervan shprehin dëshirën, që nëpërmjet fotove të ruajmë historinë e popullit kroat. Kjo ka një rëndësi vitale në një kohë kur pakujdesia humane, mungesa e fondeve dhe ikja e gjeneratave mund të çojë në shkatërrimin e kulturave dhe pasurive natyrore . Për fotografin kroat, Ivo Pervan, natyra ishte në qendër të vëmendjes, njerëzit e monumentet e kulturës gjithashtu. E kështu ndodh akoma. Vendi i tij, Kroacia, i ofronte gjithçka të bukur e magjike për ta ruajtur pas shkrepjeve të tij. Kështu nisi shkrepjet e para, modeste fillimisht, derisa në vitin 1980, mori statusin e fotografit profesionist. Duke nisur prej vitit 1990 punon në mënyrë të pavarur. Ivo Pervan, është fotografi i Kroacisë. Një herë, e përditshmja "The Sunday Times", shkruante: Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar talentin e Ivo Pervan. Secila prej fotografive të tij flet vetë, prej thellësisë së shpirtit kroat". Me fotografitë e tij, Ivo Pervan e ka bërë të famshme Kroacinë në të gjithë botën. Gjithnjë ka fotografuar vendet më të bukura të vendit të tij. Natyra është pjesë e krijimtarisë së tij, e cila vjen me të gjitha larmit. Ngjyra nga Kroacia u çel për herë të parë në qershor të vitit 2008, në Varshavë të Polonisë si pjesë e festimeve të ditës së pavarësisë së Kroacisë, dhe në Tiranë ajo do të jetë e hapur deri në datën 28 shkurt. Ekspozita që do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve, është një bashkëpunim i këtij institucioni me ambasadën kroate në Shqipëri. Galeria Kombëtare e Arteve në aktivitetin saj për vitin 2009, në vijim do të ketë një tjetër ekspozitë fotografike. Është fotografi amerikan Norman Gerchman, i cili në datën 10 shkurt do të çelë ekspozitën e tij me fotografi në Tiranë. Për dhjetë ditë fotografitë të bëra nga amerikani Gerchmaer do të jenë të ekspozuara për publikun. Ekspozita Besa kohë më parë është hapur në Uashington, në qendrën hebraike. Kjo ekspozitë u shoqërua dhe me një film dokumentar kushtuar ndihmës që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i fshehur e strehuar, për ti shpëtuar nga shfarosja naziste. Me këtë ekspozitë, fotografi amerikan Norman Gershman synon të tërheqë vëmendjen e publikut për ta njohur atë me humanizmin që një popull i vogël në numër e i lashtë si ai shqiptar, tregoi për një popull tjetër të vogël e të lashtë si ai hebraik në ditët e tij më të vështira. Për hebrenjtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, thotë fotografi Gershman, Shqipëria u bë Shtëpia e Zotit, sepse asnjë prej hebrenjve që u strehuan atje nuk ra në duart e nazistëve, ku me siguri që i priste vdekja. Ekspozita e fotografit Norman Gershman titullohet Besa - Muslims who saved Jews (Besa Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë). Të njëjtin titull mban edhe libri i tij, që pritet të dalë në libraritë amerikane. Pra do të jenë këto dy ekspozita, të cilat do të hapen gjatë këtij muaji në Galerinë Kombëtare të Arteve, të cilat do të sjellin në Tiranë dy prej emrave më të njohur të fotografisë në botë.

Email This Klikime: 29

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›