Galeria e Arteve është kthyer në një çerdhe pazaresh
Tiranë- Një qytetare me profesion arkitekte dhe studiuese arti deklaron se përzgjedhjet e punimeve në Galerinë Shqiptare të Arteve me rastin e 100 vjetorit të pavarsisë bëhen jo sipas profesionalizmit, por duke paguar.
Znj. Alma Zharia ka denoncuar në gazetën IDEA raste konkrete ku tregon se përzgjedhjet bëhen në rangje miqsh dhe ryshfeti dhe nuk fitojnë punimet më të mira.
Gazeta IDEA po e publikon të gjithë denoncimin:
Nuk mund të bëj komplimenta megjithë dëshirën e madhe që kam për përparimin e artit shqiptar, ndiej keqardhje në lidhje me këto pseudo- konkurse kombëtare që po realizohen në Galërinë Kombëtare të Arteve (GKA) me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Unë e kam ndjekur GKA- në në shumë shpallje konkursesh dhe mund të pohoj me bindje të plotë se tashmë ajo është kthyer në një çerdhe ku bëhen pazare të fëlliqura komisionesh, ku përzgjedhjet bëhen mbi antivlerat kombëtare dhe mbi to nuk shkruhen as dy rrjeshta arsyetimesh publike.
Nuk kam arritur të shoh nga komisionet e ngritura për artin figurative një arsyetim professional vendimi për punët fituese këtë shqetësim e kam stërdëgjuar dhe nga miqtë e mi skluptorë.
Unë me profesion jam arkitekte dhe studiouese arti, pretendoj se i njoh mirë format e funksionimit të tij në shumë vende të botës, po aq mirë them se i njoh edhe në Shqipëri.
Edhe pse nuk jam aty, është një detyrim moral dhe ligjor, por mbi të gjitha profesional që juria të thotë 1,2,3,4,5 arsyet pse një vepër fiton dhe më konkretisht në konkursin e monumenteve të Ismail Qemalit.
I nderuar z. Shima, drejtor i GKA- së, më vjen keq por ju dhe institucioni juaj që drejtoni po sillet në mënyrën më të papërgjegjshme dhe denigruese me autorët seriozë shqiptarë. Mes tyre nuk diskutohet që nivelet janë të ndryshme, por e drejta është e barabartë , mësohuni të bëheni më tepër serioz dhe më pak cinik pasi pushteti është i përkohshëm. Nëse tani është radha juaj tani ku i dihet pak më vonë mund të më mbushet edhe mua mendja të bëj një vizitë andej!
Ata 20 konkurrentë nuk kanë asnjë faj dhe nuk duhet që ju ti bëni tabelë qitjeje, për të krijuar mjergull dhe iluzione që gjoja aty vetëm 5 ishin disi më mirë dhe vetëm këta të pestë paskan të drejtë ta ribëjnë edhe njëherë konkursin, dhe madje ju keni caktuar të bëjnë dy variante: në këmbë dhe ulur!!!
Kjo është shumë qesharake, kot nuk i keni detyruar të bëjnë një variant të shtrirë. Ku janë të shkruara këto parime, ta dimë edhe ne ti lexojmë se atëherë bëhemi më të përtypshëm.
Vepra e artit e konsideron figurën historike, mor zotëri i dashur,por ajo është përtej saj dhe parimeve mediokre që ju standartizoni si kritere.
Unë jetoj në Itali dhe kam shëtitur shumë vende që janë ajka e qytetërimit, ku arti është në elitë, por nuk kam aspak dyshime që ju jeni kthyer në mafie të artit dhe keni monopolizuar çdo vendimmarrje në lidhje me veprat e artit. I keni kthyer një pjesë të artistëve në të përdorshmit dhe urdhërueshmit tuaj, kështu ju e keni më të kontrolluar situatën dhe çmimet trofe siç bëni gjithmonë.
Unë e di shumë mirë që këta 5 autorë që ju keni përzgjedhur nuk kishin veprat më të mira, unë i kam shikuar me vëmendje jë nga një fotot e të gjitha punëve konkurruese. Fatmirësish syve tuaj u kishte shpëtuar një parta sa për të dokumentuar pazaret tuaja, ku keni lënë jashtë pesçesh vepra shumë më dinjitoze dhe të denja.
Kjo ishte skema juaj që keni ndërtuar që çmimi të mbetet në duart e këtyre, sepse ata realisht janë miqtë tuaj dhe jo autorët më të mirë. Këtë tymnajë ju e rafinuat bukur duke marrë si tabela qitjeje disa punë që janë problematike, nuk mund tia hidhni kollaj. Nuk është në nderin tuaj të merreni me të humburit sepse i humburi e ka të mbyllur historinë, por ju duhet të merreni me antivlerat e përzgjedhura që ju kot dilni dhe jepni deklaratë të palogjikshme që asnjë fëmijë nuk do të gënjente se konkursi është anolluar!!!
Jo jo ju keni eleminuar ata që ju bëjnë hije fituesve tuaj të mëdhenj! Gjoja ju vendosni numra indetifikimi që medemek mos të njihen, por më kot kjo është si drita e diellit, ju mbuloni të vërteta se ju i njihni mjaft mirë autorët dhe ju pikërisht emrat përzgjidhni dhe jo veprat. Thjesht sa ju hiqni emrat dhe ju lini numrat veprave që opinion publik mos të veprojë me agression dhe të amortizojë më shumë demaskimin e pazareve tuaja të fëlliqura.
Ju jeni joprofesional që në shpalljen e konkursit, nuk e di ku i keni gjetur ata profesionistë aq të zotë që përcaktojnë kriteret e konkurimit për një shtatore. Nuk ka më injorancë dhe më ironike që ti përcaktosh një autori konkurrent dimensionet e bazamentit, gjerësi,lartësi, thellësi,plus lartësi shtatoreje. Kjo do të thotë e dashur galeri që ti nukpërfaqëson GKA- në, por një biznes privat dhe nuk mendon që arti shqiptar të ketë autor por realizues të thjeshtë të një statuje të porositur. E kjo është më shumë qesharake për ty e për mjerë Galerinë shqiptare, ke rënë në dorë të horrave që po bëjnë qejf me perversitetet e tyre duke u fshehur nën petkun e subjektivizimit të artit sepse kanë harruar që profesionalizmi zbardh dhe nxjerr në dritën e diellit këtë absurd. Zoti e ruajtët artin shqiptar nga klanet tuaja.
Me respekt gazetës
Alma Zaharia