Shqipëria, me numrin më të madh të universiteteve private në Evropë
Tiranë- Shqipëria pas rënies së regjimit komunist, gjatë këtyre 22 viteve tranzicion ka rendur për të akumuluar sa më shumë dije. Vitet e para të demokracisë na dhanë mundësi të krijojmë parti dhe shoqata më shumë se në çdo vend tjetër të botës, për frymë të popullsisë. Por dekada e fundit i hapi udhë një tjetër biznesi, i cili rezultoi se është vërtet shumë fitimprurës, atij të shkollave të larta private, ose universitete siç preferojnë të vetëquhen. Në këtë drejtim, pa asnjë diskutim në jemi kampionë në rang botëror. Në Shqipëri janë hapur universitete private më shumë se në çdo vend tjetër. Ajo lihet pas vetëm nga Rusia dhe Ukraina.
Shteti shqiptar përfaqësohet në këtë xhungël nga 12 universitete përfshirë edhe atë usharak në Vlorë. Ndërkaq ka edhe plot 35 universitete, institute apo kolegje private, pra afro tre herë më shumë se institucionet shtetërore. Me plot 47 shkolla të larta në një vend me më pak se 3 milionë banorë rezidentë.
Universitetet private që janë licencuar nga qeveria janë: Universiteti Amerikan i Tiranës, Universiteti Metropolitan i Tiranës, Marin Barleti, New York, Europiani, Luarasi, Kristal, Polis, Albanian, Zoja e Këshillit të Mirë, Marubi, Justiniani, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Justicia, Wisdom, Aldent, Medikament, Epoka, Luigj Benussi, ISSAT, Nehemia, Shkolla e Lartë Europiane për Turizmin, Nëna Mbretëreshë Geraldinë, Illyria, Worldwide, Dentarium, Ivoclar Vivadent & Partners College, Pavarësia Vlorë, Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës, Vitrina, Neë Generation, Medicom, Universiti Planetar i Tiranës, Logos.
Por çndodh me vendet e rajonit?
Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka 17 universitete private për 3,839,737 banorë, referuar të dhënave të vitit 2011 për popullsinë.
Kroacia numëron 31 universitete private dhe politeknike në 4,290,612 banorë, nga censusi i vitit 2011. Në Hungari ka vetëm gjashtë universitete private apo të financuara nga kisha dhe në të gjithë vendit i shtohen edhe dy të tjerë, pra në total janë vetëm 8, kur ka një popullsi prej 10,014,324 banorësh.
Në Maqedoninë fqinjë janë 15 private, në Mal të Zi ka vetëm një universitet privat, një shtetëror, dhe një fakultet privat.
Turqia, një vend me mbi 1 milion studentë ka rreth 820 institucione të arsimit të lartë duke përfshirë edhe universitetet private. Vetëm në Ankara ka 5 universitete shtetërore dhe 9 private. Në Antalia ka 1 shtetëror dhe 2 privatë. Stambolli ka 8 universitete shtetërore dhe 30 të privatë, dhe 13 universitete private ndodhen në qytete të tjera. Në total turqia me 74,724,269 banorë, sipas censusit 2011, ka lejuar hapjen e 54 universiteteve private.
Në Serbi kemi 10 universitete private për 7,120,666 banorë dhe shtatë publike. Ukraina është fenomen i veçantë. Që nga Korriku 2009 ka pasur 900 universitete të ndryshme në Ukrainë. Që nga Marsi i vitit 2010 ka pasur 881 universitete, kolegje dhe shkolla teknike. Në Korrik 2009 arsimi ukrainas parashikon që një e treta e universiteteve të likuidohet nga 2013, për një popullsi 45,888,000, sipas censusi 2010. Bashkimi, konkurrenca e ashpër, cilësia e arsimit, zvogëlimi i numrit të studentëve që dalin nga shkolla, ishin arsyet për reduktimin e numrit të universiteteve në Ukrainë.
Në Rusi dhe Siberi, një vend me 142 905 200 banorë sipas censusit 2010 dhe ku ka 6.2 milion studentë, ka 658 shkolla të larta në pronësi të shtetit dhe 450 private universitare të nivelit të institucioneve civile të licencuara nga Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit po lufton universitetet me diploma skarce dhe po redukton numrin e tyre pavarështi tendecës për të lulëzuar. Pasojat janë të qarta: Zhvlerësim i standartit të arsimit. Tendeca e likujdimit nisi në viitn 2006 kur universitetet shtetërore si Rostov-on-Don, Taganrog dhe të tjerë u bashkuan në Southern Federal University.
Por situata paraqitet krejt e ndryshme në vendet perendimore, aty ku standartet e arsimit janë më të lartat në botë. Në Francë janë vetëm 20 kolegje dhe universitete private përfshirë ato katolike dhe protestane për 2 milionë studentë që janë në të gjitha shkollat private dhe shtetërore. Po ashtu Italia ka një numër më të reduktuar universitetesh private.
