Galiani "shigjeton" Interin
Te Milani është e ndaluar të flitet për titullin kampion. Shtatë pikët diferencë nga Interi, kur kanë mbetur edhe katër javë nga mbyllja e Serisë A, ka bërë që kuqezinjtë të jenë të përqendruar vetëm te dueli i së dielës me Juventusin. Në rast triumfi, skuadra e Ançelotit do të konsolidonte pozitat në vendin e dytë në klasifikim, me të cilën shmangen ndeshjet eliminatore. Administratori i Milanit, Adriano Galiani, deklaron se ndeshja me bardhezinjtë është "derbi i Italisë" (emër me të cilin njihen takimet ndërmjet Juventusit dhe Interit). "Nuk dëshiroj të hap polemika, por kam ndjekur edhe deklaratat e Lapo Elkan, i cili thotë se Milan-Juve është derbi i vërtetë i Italisë. Ata kanë fituar më shumë herë kampionatin, ndërsa ne jemi skuadra që ka fituar më shumë tituj ndërkombëtarë dhe më duket e drejtë", u shpreh numri 2 i klubit. Më tej, Galiani shtoi: "Sezoni ende nuk ka përfunduar. Duhet të luajmë edhe katër ndeshje deri në fërshëllimën finale dhe llogaritë do të bëhen vetëm në fund. Gjithsesi, dua të theksoj se diskutimet për titullin kampion janë të mbyllura, nuk duhet të tallemi: është e vështirë të rikuperosh shtatë pikë në katër javë të mbetura". Ai konfirmoi se trajneri Ançeloti nuk do të largohet në fund të sezonit.