E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në kaos, ikën Kola, kërkohet trajner emergjence

Agustin Kola largohet nga drejtimi i Tiranës. Dështimi në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Flamurtarit ka bërë që trajneri të paraqesë dorëheqjen. Ai ishte njeriu që e ndjeu më shumë humbjen në Durrës, madje e ka pasur të vështirë të largohej nga "Niko Dovana", ku qëndroi për shumë kohë, duke qarë prej dëshpërimit në dhomat e zhveshjes. Por, edhe pse menjëherë pas finales Kola hodhi poshtë çdo mundësi të tërhiqej, ndodhi e kundërta. Në seancën stërvitore të zhvilluar dje paradite në kompleksin "Skënder Halili", ish-lojtari i famshëm bardheblu ka përshëndetur lojtarët. "U paraqit në stërvitje, i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe që punuan së bashku dhe në mënyrë të papritur pohoi se kishte dhënë dorëheqjen", konfirmuan burime pranë skuadrës. Vendimi për t‘u larguar, i cili iu komunikua menjëherë dhe kryedonatorit Refik Halili, ka ardhur vetëm tre javë përpara mbylljes së sezonit. Tirana renditet në vendin e dytë në Kategorinë Superiore, një pikë larg Vllaznisë kryesuese dhe ka shanse të mira për të fituar titullin. Dorëheqja e Kolës vjen vetëm pesë muaj pasi mori "timonin" e skuadrës (16 javë futbollistike).

Tashmë ka filluar balotazhi për stolin. Alternativa e parë është ndihmëstrajneri italian Mauro Bençivenga, puna e të cilit vlerësohet shumë në kampin bardheblu. Megjithatë, një kandidat i fortë shihet edhe Mirel Josa, trajneri që në sezonin 2003/‘04 i dha skuadrës titullin, ndërsa në edicionin 2004/‘05 e udhëhoqi drejt Kupës së Shqipërisë. Ish-tekniku i Elbasanit në këtë edicion ka zhvilluar një takim të gjatë me Halilin gjatë pasdites së djeshme. Në momentin e largimit nga Vila Goldi, i shoqëruar nga drejtori teknik Alban Tafaj, Josa deklaroi: "Nuk është vendosur asgjë". Kjo u konfirmua edhe nga kryedonatori i Tiranës: "Për momentin po konsultohem me dashamirës të ekipit dhe po këshillohem me specialistë. Josa? Nuk kemi vendosur asgjë. Nuk kemi pse nxitohemi, Tirana ka një skuadër të mirë, që mund të mposhtë çdo skuadër në Shqipëri. Për më tepër kemi alternativa të brendshme për të zëvendësuar Kolën: ata janë Bençivenga ose Tafaj". Për momentin ende nuk dihet se cili prej kandidatëve do t‘i drejtojë bardheblutë në takimin e fundjavës me Shkumbinin, e vlefshme për javën e 31-të të Superiores.

Në anën tjetër, Tirana duhet të bëjë llogaritë edhe me tifozët e zemëruar, të cilët akuzojnë klanet në skuadër për humbjen në finalen e Kupës dhe dorëheqjen e Agustin Kolës. Ata i kanë akuzuar të gjithë, duke filluar nga donatori Halili, për të vazhduar te kapiteni Muka e të gjithë pjesëtarët e "gardës së vjetër". "Mercenarë pa dinjitet, që vetëm mbushin xhepat", "fundërrina" e "plehra që tallen me historinë e klubit", ishin disa prej batutave më të lehta të përdorura.

Boshnjaku

Slishkoviç vetëkandidohet për sezonin e ri

Blazh Slishkoviç vetëkandidohet për të drejtuar stolin e Tiranës në sezonin e ardhshëm. Trajneri, i afruar me shumë bujë në fillim të këtij sezoni, vazhdon të jetë "i dashuruar" me klubin bardheblu, pavarësisht se aventura në Kategorinë Superiore zgjati shumë pak (afro katër muaj). Boshnjaku u largua nga kryeqytetasit pesë muaj më parë, më saktësisht më 14 dhjetor 2008, pas barazimit 2-2 në javën e 14-të të kampionatit me Partizanin. Ai u bë "viktima" e parë e ringjalljes së Partizanit të drejtuar nga Shpëtim Duro (që në atë periudhë renditej në vendin e fundit) dhe paraqiti dorëheqjen e parevokueshme. Veprim i logjikshëm, jo vetëm për rezultatin me rivalët historikë, por edhe sepse deri në atë moment, 23 herë kampionët kishin regjistruar vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit. Edhe pse në 14 takime skuadra arriti 6 fitore, 6 barazime dhe 2 humbje, ai la shenjë për fitoren 2-1 në miqësoren kundër Milanit. Burime pranë klubit kryeqytetas konfirmuan se Slishkoviç vazhdon të ndjekë me vëmendje zhvillimet në kampin bardhebluve dhe nëse donatorja Shefikat Ngjela merr drejtimin në sezonin e ardhshëm, 49-vjeçari do të rikthehet. Kushti i parë i teknikut do të jetë "spastrimi" i kontingjentit: Nallbani, Osmani, Muka, Xhafaj, ndoshta edhe Saimir Patushi nuk do të kenë më të ardhme në ekip. Ai pretendon një projekt afatgjatë dhe mendon se te Tirana mund të ndërtojë një grup të konsoliduar, ndërsa siguron edhe qëndrimin e kroatit Toni Pezo, një prej lojtarëve më të spikatur në këtë sezon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›