E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA, Hidink e Drogba rrezikojnë penalizimin

UEFA nuk ka përjashtuar nisjen e një hetimi disiplinor rreth deklaratave të trajnerit Gus Hidink dhe të sulmuesit Didier Drogba, në përfundim të gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve, ku Çelsi u eliminua nga Barcelona. "Presim relacionin e gjyqtarit dhe më pas do të përcaktohen hapat që do të ndiqen", theksuan zyrtarët në Nion, për sfidën e mbyllur në barazim 1-1, që kualifikoi katalanët. Më e rëndë paraqitet situata për lojtarin nga Bregu i Fildishtë, që në fund të ndeshjes u ndëshkua me karton të verdhë për protesta ndaj gjyqtarit norvegjez, Tom Hening Ovrebo. Pas fërshëllimës finale, Drogba nuk i ka kursyer fjalët e ashpra ndaj "bilbilit", madje ai i është drejtuar edhe telekamerave, duke përdorur një fjalor aspak të përshtatshëm. Deklaratat "live" detyruan "Sky" britanik që t‘i kërkonte ndjesë telespektatorëve. Por, sjellja e 31-vjeçarit është përkeqësuar në tunelin e dhomave të zhveshjes në "Stemford Brixh". Tabloidi "The Sun" shkruante se Drogba ka ndaluar "xhaketën e zezë", e me fytyrën vetëm pak centimetra larg nga ajo e Ovrebos, i ka bërtitur: "Ky është një turp i vërtetë. Nuk paske respekt, kjo që bëre është e patolerueshme. Nuk mund të sillesh kështu". Sipas dëshmitarëve okularë, lojtari ka përplasur disa herë dorën pas murit, duke e tmerruar arbitrin: "Drogba ishte bërë si i çmendur, humbi kontrollin. Nuk e preku gjyqtarin as me gisht, por sjellja e tij nuk ishte civile". Në anën tjetër, holandezi Hidink akuzoi UEFA-n se nuk donte që në finalen e Champions-it të përballeshin dy skuadra angleze, duke përsëritur duelin e vitit të kaluar ndërmjet Mançester Junajtid dhe Çelsit. Duke folur me një funksionar të institucionit që drejton futbollin në Evropë, tekniku tha: "Urime, me sa duket UEFA nuk donte dy angleze në finale dhe ia arriti qëllimit". Ndërkohë, gjyqtari është larguar nga Anglia i frikësuar, pasi ka marrë kërcënime me vdekje. Pasi u kontestua ashpër nga lojtarët, Ovrebo u shndërrua në "shënjestrën" e tifozëve të zemëruar. Gjatë natës ai u detyrua të ndërronte hotelin, ndërsa në mëngjes, u shoqërua në aeroport nga policia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›