Galica: Dua ta rrah i vetëm Vllazninë
Sulmuesi shkodran i Elbasanit, Elhan Galica, synon të jetë protagonist në ndeshjen e sotme
Tek Elbasani është harruar shpejt entuziazmi i fitores ndaj ekipit të Adës dhe tashmë lojtarët janë të përqendruar te ndeshja e sotme në kupë me Vllazninë. Një ndeshje e vështirë kjo, duke parë se përballë do të jetë një ekip me mjaft emër dhe traditë në futbollin shqiptar.
Në Elbasan e vlerësojnë maksimalisht edhe kupën, ndaj dhe sot pritet të zbresë në fushë ekipi që luajti ndaj Adës. Edhe pse Vllaznia luan në superligë dhe Elbasani në kategorinë e parë, pritet të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur.
Protagonist në këtë ndeshje pritet të jetë shkodrani Elhan Galica, i cili luan për verdheblutë këtë sezon. Galica pritet të jetë më i motivuar këtë radhë në fushë përballë ekipit ku u formua si futbollist. Për Sportin shqiptar sulmuesi është shprehur se do të bëjë maksimumin që Elbasani të fitojë me Vllazninë:
Do të bëj sa të kem mundësi që ta mposhtim Vllazninë në këtë ndeshje. Dua ti shënoj këtij ekipi dhe jam i sigurt se këtë radhë do ta ndëshkoj. Jam në një formë të mirë dhe besoj se do ta bëj detyrën ndaj ekipit ku jam rritur si futbollist, ka thënë sulmuesi, që e pranon se kjo sfidë është speciale për të.
Sfidë speciale Elbasani dhe Shkodra janë dy qytete që kanë marrëdhënie të mira mes tyre dhe shpesh kanë shkëmbyer futbollistë. Shumë shkodranë kanë ardhur vitet e fundit në Ruzhdi Bizhuta, ku i fundit është sulmuesi Galica. Është një sfidë speciale për mua, sepse kundër do të kem shumë nga shokët dhe miqtë e mi, me të cilët kam luajtur më parë.
Por kjo nuk ndryshon asgjë, pasi tani jam futbollist i Elbasanit dhe do të bëj gjithçka për fitoren e tij. Them se Vllaznia do të dalë e mundur nga stadiumi ynë, ndërsa unë dua ti shënoj asaj, madj, pse jo, ta rrah edhe i vetëm, – ka përfunduar sulmuesi i ekipit verdheblu, Elhan Galica.
