E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj: Mos e kryqëzoni portierin Vujadinoviç!

Nga GJERGJ KOLA

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka dalë në mbrojtje të portierit malazez, duke mos e quajtur  shkaktarin e dështimeve

Për portierin malazez të Vllaznisë ka pasur jo pak kritika kohët e fundit. Pësimi i golit në Kamëz, i të parit në Krujë, por edhe të parit në ndeshjen me Tiranën, kanë pasur brenda edhe pasigurinë e Miroslav Vujadinoviçit. Shumëkush mendon se ai nuk është në formën e duhur sportive, të tjerë mendojnë se gjendja është momentale, por ai që i ka dalë në mbrojtje shokut të tij të skuadrës është sulmuesi Xhevahir Sukaj.

Duke folur për Sportin shqiptar, ai ka thënë: Vujadinoviçi mund të jetë pak fajtor te pësimi i golit të parë të Tiranës, por mendoj se ky portier nuk duhet kryqëzuar për ndonjë gabim që bën. Të mos harrojmë vlerat e tij, por njëkohëssiht të mos harrojmë se në pjesën e parë në ndeshjen me Tiranën ishte po ky portier që ka shpëtuar të paktën tre gola të sigurt në portën tonë. Duke qenë kështu, natyrisht që duhet ti japim edhe meritat dhe të mos merremi vetëm me gabimet, sepse të gjithë gabojmë.

Ky lojtar është protagonist me të gjitha gjërat. Xhevahir Sukaj është njeriu i momentit te Vllaznia. Flitet për mirë, për eurogolat që shënon, por edhe për keq, për rastet fatale që humb. Edhe në takimin e fundit me Tiranën i ka pasur brenda të dy anët e medaljes. Ka shënuar një gol që do mbahet mend gjatë, por ka humbur fatalisht një rast në minutat shtesë, kur duhej të kishte shënuar me lehtësi.

Gabimi Sulmuesit 24-vjeçar shkodran ende nuk i ka ikur nga mendja ai moment ndaj Tiranës, prandaj thotë: Më del edhe në ëndërr ai rast. Ku do të kishte më bukur se të shënoja në ato minuta shtesë dhe Vllaznia të fitonte 3-2. E imagjinoj çfarë do kishte ndodhur në stadium në ato momente, por nuk qe me ne fati.

Nga lodhja e madhe, por edhe dëshira për ta dërguar me çdo kusht topin në rrjetë, nuk e kam pasur mendjen askund tjetër vetëm të godisja topin. Por kur mora ta bëj një gjë të tillë, kam ndier një bllokim në këmbë, ndoshta si pasojë e lodhjes së madhe që pata në këtë ndeshje, por edhe i një goditjeje që kisha marrë pak minuta më parë në këmbë. Megjithatë, kështu e ka futbolli, shënon atëherë kur nuk e mendon dhe nuk e bën këtë gjë, kur duhet bërë. Por Vllaznia me barazimin 2-2 ndaj Tiranës tregoi se është një skuadër në rritje e kjo është një garanci për të ardhmen.

Kupa Vetë Sukaj, duke folur për ecurinë e skuadrës në ndeshjet e ardhshme, është ndalur te takimi i sotëm me Elbasanin. Duke folur në lidhje me të, autori i pesë golave në këtë kampionat me Vllazninë, ka thënë: Stafi ynë drejtues e ka vlerësuar seriozisht ndeshjen me Elbasanin. Përderisa është me fazë grupesh dhe duhen pikët maksimale, ne shkojmë në këtë takim për të fituar.

Jo më kot trajneri ka marrë me vete të gjithë kontigjentin e lojtarëve, sepse kërkon ti ruhet ndonjë të papriture. Besoj se ndeshja me Elbasanin do të na shërbejë si nxemje për takimin e fundjavës me Flamurtarin, që është shumë i rëndësishëm, por unë kam besim se nuk do kthehemi pa pikë nga Vlora.

Kuqeblutë, pa Sinanin e Vujadinoviçin në Elbasan

Skuadra shkodrane ka lënë dje në orën 15:30 qytetin e saj dhe ka marrë rrugën drejt Elbasanit. Para se ta bënte këtë, ajo ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes dhe ajo çfarë ka rënë në sy është udhëtimi pak a shumë i plotë i ekipit drejt Elbasanit. Me përjashtim të Sinanit dhe të Vujadinoviçit, të tjerët kanë udhëtuar të gjithë për ndeshjen e radhës. Sinani ka një dëmtim që nga ndeshja ndaj Tiranës dhe për të mos rrezikuar, është lënë pushim.

Ndërsa portieri malazez është në gjendje gripale dhe për pasojë edhe me këtë nuk do të rrezikohet në kupë. Josa ka dëshirë ti ruhet ndonjë të papriture të pakëndshme dhe prandaj objektivi i tij është fitorja në këtë takim. Pritet që në fushën e lojës të jenë thuajse gjithë titullarët, megjithatë mund të ketë edhe një gërshetim të tyre me disa nga lojtarët e stolit. E rëndësishme është arritja e fitores për ta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›