Galica: Elbasani tani mund të fitojë edhe jashtë fushe
Sulmuesi shkodran, Elhan Galica, del garant për verdheblutë, pasi synon ta mbyllë kampionatin në kuotën e 20 golave
Në Elbasan ka nisur java e përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Skraparin, që çel fazën e dytë të kampionatit. Verdheblutë janë gati për një start të fuqishëm të gjysmës së dytë të këtij kampionati, ku do të pretendojnë të paktën vendin e 5-të. Me Skraparin luhet në stadiumin Ruzhdi Bizhuta dhe janë të gjitha mundësitë për një fitore bindëse.
Elbasani është përforcuar së fundi me mbrojtësin Ilir Mërtiri, një futbollist me shumë përvojë që jep garanci për mbrojtjen verdheblu. Atmosfera në skuadër është mjaft optimiste në prag të fazës së dytë, ku Elbasani pritet të tregojë vlerat më tëmira. Përforcimet e bëra në merkaton e dimrit, para së gjithash ardhja e Bylykbashit, patjetër që e kanë rritur forcën e kësaj skuadre, që në gjysmën e parë të kampionatit ka gabuar shumë.
Galica Sulmuesi kryesor i Elbasanit, shkodrani Elhan Galica, thekson mes të tjerash se skuadra është kompletuar dhe tani ka forca për të fituar edhe jashtë fushe. Për fazën e dytë kemi një skuadër më të fortë. Futbollistët e ardhur në merkaton e dimrit e kanë kompletuar Elbasanin, që mendoj se i ka shanset për të qenë në 5-shen e parë. Ndoshta do të jetë e vështirë për tu ngjitur direkt në superligë, por play-off -in e kemi vetë në dorë.
Besoj se tashmë kemi atë Elbasan, që mund të fitojë edhe në transfertë. Të gjithë jemi të mobilizuar për të zhvilluar një fazë të dytë sa më të mirë dhe për të grumbulluar pikët që na duhen për ta mbyllur kampionatin në 5-shen e parë, është shprehur sulmuesi Galica, autori i 7 golave me fanellën verdheblu gjatë fazës së parë.
Objektivi personal Shkodrani shpreson të bëjë më shumë në të dytën për ta ndihmuar Elbasanin të arrijë objektivin e sezonit. Ai ka si objektiv personal të arrijë në kuotën e 20 golave dhe, pse jo, edhe të fitojë Këpucën e artë të kategorisë së parë. Nuk jam shumë i kënaqur nga vetja, pasi nuk kam dhënë më të mirën. Nuk kam qenë në formën më të mirë dhe kam shënuar vetëm 7 gola.
Dua që në 15 ndeshjet e mbetura të godas më shumë në shenjë dhe nuk kam pse ta fsheh se kam si synim të shënoj 20 gola këtë kampionat. Do të ishte bukur të shpallesha golashënuesi më i mirë i kategorisë së parë me fanellën e Elbasanit, – ka përfunduar Elhan Galica, futbollisti shkodran që luajtur me disa skuadra shqiptare, siç janë Vllaznia, Ada, Flamurtari, Pogradeci dhe Lushnja. Ai shkoi për tu provuar në Egjipt, ku pritet të kalojë pas përfundimit të këtij kampionati.
