Çaço: Luftëtari do të jetë i papërmbajtshëm
Mesfushori beratas, Ervi Çaço, beson se ekipi i tij do ta thellojë diferencën e pikëve me rivalët gjatë ndeshjeve të fazës së dytë
Luftëtari ka luajtur deri tani 14 ndeshje në kampionat, sepse me Kukësin, ku është ekipi pritës, do të ndeshet më 15 shkurt. Mesfushori beratas, Ervis Çaço, nuk është aktivizuar vetëm në 2 nga 14 ndeshjet dhe ka realizuar një dygolësh. Ai është një ndër lojtarët e formacionit bazë të ekipit gjirokastrit, që më tepër se kurrë këto 5 sezonet e fundit pretendon superligën.
Madje, jo pak vetë, mes tyre edhe specialistë futbolli, e shohin si punë të mbaruar këtë gjë, por vetë Luftëtarin këto fjalë nuk duhet ta vënë në gjumë. Dëbora që ra në Gjirokastër të enjten e javës së kaluar pa dyshim që e ka penguar procesin stërvitor, por kjo vetëm sa e ndërgjegjëson atë edhe më shumë në vendosmërinë për të arritur fitoren e parë për vitin 2012.
Ndeshja e parë është në transfertë me Vlorën, që në premierën e këtij kampionati e ka shtangur Luftëtarin në Gjirokastër, ku vendësit me ndihmën e Zotit fituan 1-0 me 11-metërsh.
Çaço Beratasi që luan se sezonin e parë me Luftëtarin, thekson se ky ekip do të jetë i papërmbajtshëm edhe në fazën e dytë: Është e vërtetë, që ndeshja ku kemi vuajtur më shumë në Gjirokastër gjatë fazës së parë është ajo e javës së parë me Vlorën. Erdhi radha ti kthejmë vizitën dhe mendoj se tani gjërat janë shumë më ndryshe.
Luftëtari ka fituar prestigjin e kandidatit kryesor për superioren dhe ka një përbërje solide, të aftë për të përballuar çdo kundërshtar të kategorisë së parë. Natyrisht që nuk nënvlerësojmë askënd, pra edhe Vlorën, edhe pse na ndajnë shumë shkallë në renditje.
Përkundrazi, do të luajmë të motivuar për të mbajtur të njëjtën diferencë pikë me rivalët, ose ta thellojmë atë, nëse ndonjëri do të humbasë pikë. Luftëtari, ashtu siç ka ardhur deri këtu, do të vazhdojë deri në mbyllje të këtij kampionati, duke u shpallur kampion i kësaj kategorie dhe kështu sezonin tjetër do të luajë në superiore.
