E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galica dhe Gava qëndrojnë tek Elbasani

Nga Elton Karaj

Mbrojtësit Dushku dhe Mehmetaj janë dy përforcimet e bëra nga verdheblutë në merkaton e janarit

Ditën e fundit të merkatos janë qartësuar gjërat në kampin elbasanas. Në skuadër kanë qëndruar përfundimisht dy titullarët Orges Gava dhe Elhan Galica. Problemi kryesor i verdhebluve në merkato ishte gjetja e një sulmuesi, sepse Elhan Galica konsiderohej i larguar, por ai është rikthyer. Shkodrani do të luajë me Elbasanin edhe për 6 muaj, pra deri në fund të sezonit.

Galica është golashënuesi më i mirë për skuadrën verdheblu dhe qëndrimi i tij e ka qetësuar stafin teknik. Po dje është konfirmuar qëndrimi i mesfushorit Orges Gava, i cili ishte pranë kalimit te Shkumbini. Në fakt, trajneri File ka në dispozicion mjaft lojtarë të rinj të talentuar, siç janë Musta, Toçi dhe Hila, por duhet pranuar se Gava jep sigurinë e nevojshme në mesfushë. Në këtë mënyrë, dy lojtarët e rinj të Elbasanit janë mbrojtësit Armand Mehmetaj dhe Marsid Dushku.

I pari, pasi luajti me Apoloninë në superligë fazën e parë, është kthyer te skuadra mëmë, ndërsa i dyti vjen nga Gramshi. Edhe mbrojtësi Aldo Bella e ka lënë pas dëmtimin dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të fazës së dytë me Skraparin.

Mbrojtja duket reparti më i kompletuar i verdhebluve, pasi këtu bën pjesë edhe kryeqytetasi Sekseni, si dhe të rinjtë Jaupi dhe Dosti, të cilët janë paraqitur shumë mitë në ndeshjet miqësore. Ndoshta merkatoja nuk ka sjellë lëvizjet që priteshin, por i sigurt është fakti se Elbasani do të jetë ndryshe fazën e dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›