Selimaj: Ndeshjen e parë ta fitojmë edhe për moral
Portieri shkodran i Luftëtarit, Erind Selimaj, thekson se çdo ndeshje e fazës së dytë do të jetë shumë e vështirë
Erind Selimaj, Cerberi i Luftëtarit, në 14 ndeshjet e fazës së parë, ku ishte vetëm ai, ka pësuar 8 gola, ndërsa në 6 prej tyresh nuk ka pësuar gol. Ndryshe ka ndodhur në 4 miqësoret që luajti ky ekip në janar, ku në të gjitha pësoi gol, 6, si për të fshirë rregullat e përpjestimeve matematikore. Në Gjirokastër presin së pari të marrin vesh se me cilin ekip do ta luajnë ndeshjen e parë për vitin 2012, me Kukësin apo me Vlorën.
Së dyti, duan të shohin ekipin e fazës së dytë, me dy trajnerët e caktuar në fillim të këtij viti dhe tri përforcimet e reja, që pa dyshim do të sjellin në një formacion tjetër bazë, ndërkohë që edhe Shalari e ndoshta Ramadani nuk do të jenë në dispozicion për arsye dëmtimesh.
Selimaj Portieri shkodran, Erind Selimaj, i cili bashkë me Devollin dhe Norën përbëjnë bërthamën e rëndë të këtij ekipi, shprehet: Kemi arritur rezultate të larta, por nuk duhet të flemë mbi dafina, sepse fazën e dytë do të ketë rivalitet më të madh.
Nuk janë vetëm ekipet me emër si Elbasani, Besa dhe Lushnja, por edhe disa të tjerë, duke filluar me Kukësin, që duan të fitojnë dhe të futen në superligë, por ka edhe ekipe të tjera dhe që nuk janë pak, që duan të mos e humbasin kategorinë e parë.
Pra, kuptohet që çdo ndeshje do të jetë me vështirësitë e veta në fazën e dytë. Ekipi ynë është përgatitur për ti përballur të gjithë kundërshtarët në Gjirokastër, por edhe në transferta, ku qëndresa e ekipeve vendëse është më e fortë.
Ne ende nuk e kemi shumë të qartë se me cilin ekip do ta luajmë ndeshjen e parë, me Kukësin të prapambeturën apo me Vlorën të parën e fazës së dytë, por, sidoqoftë, Luftëtari ka në qendër të vëmendjes rezultatin. Qoftë për pozitat që kemi, por edhe për moralin, duke qenë ndeshja e parë e vitit 2012, duhet ta mbyllim me 3 pikët në favorin tonë.
