E Diel, 1 Nëntor 2026

Poçi: Besa, jo më shumë se një sezon larg elitës

Nga Leonard Dushku

Kapiteni i kavajasve, Artion Poçi, vlerëson afrimin e Dragushës, Frashërit dhe Ziambos për fazën e dytë të kampionatit

Fieraku Artion Poçi është nga ata futbollistë që kanë fituar trofe me fenallën e Besës, madje ka qenë ai që e ka ngritur lart i pari Kupën e Shqipërisë, si kapiten i skuadrës. Mesfushori qëndroi në Kavajë, edhe pse Besa ra në kategorinë e parë, duke dashur të kontribuojë në kthimin e saj në elitën e futbollit shqiptar.

Poçi është aktivizuar thuajse në të gjitha ndeshjet e fazës së parë dhe ka qenë i pari që ka kërkuar përforcime në skuadër, në mënyrë që Besa të mos dështojë këtë sezon. Me ndryshimet e bëra në merkaton e dimrit, fieraku beson se fundi i kampionatit mund ta gjejë Besën në dy vendet e para. “Në skuadër është bërë një punë e madhe gjatë fazës përgatitore, duke nisur nga aspekti fizik dhe për të vazhduar me atë tekniko-taktik.

Mendoj se Besa është në rrugën e duhur, sepse ajo që është më e rëndësishme, merkatoja e dimrit, ka sjellë disa futbollistë me shumë përvojë. Dragusha, Frashëri dhe Ziambo besoj se do të na bëjnë shumë punë në lidhje me objektivin tonë. Pa dyshim që me ta do ta kemi më të lehtë gjatë fazës së dytë për të arritur rezultatet që duhen. Kuptohet që pjesa e mbetur e kampionatit është më e vështirë dhe më e egër.

Do të jetë një luftë e vërtetë mes rivalëve për në superligë dhe atyre që kërkojnë mbijetesën. Ne duhet të fitojmë konkurrencën me Luftëtarin, Besëlidhjen, Kukësi dhe Lushnjën për të tu ngjitur direkt në superligë, ndërkohë që nuk mund të nënvlerësohet Elbasani, një emër i madh. Shpresoj të bëj më të mirën time, që Besa të mos i mungojë superiores më shumë se një sezon.

Të gjithë bashkë, me trajneri Magani, them se do tia dalim. Apeli im është që të mos e lënë fatin në dorë për në ndeshjen shtesë, por të arrijmë vendin e dytë dhe të shkojmë direkt në superligë, ka theksuar mes të tjerash për Sportin shqiptar kapiteni i skuadrës kavajase, Artion Poçi. Ai është një ndër besnikët e fanellës së Besës, ashtu sikurse korçari Paulin Dhëmbi. Fieraku synon të luajë me kavajasit sërish në superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›