E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Drogbas u gatuan tifozëve

Derisa Didier Drogba udhëheq Bregun e Fildishtë në Kupën e Afrikës, nëna e tij, Clotilde, punon në një kuzhinë, ku gatuan ushqim për tifozët e ekipit kombëtar. Asaj i pëlqen puna që bën dhe kështu thotë se i ndihmon shtetit. Sa ishte shtatzënë me Didierin, ajo dëshironte që ai të bëhej futbollist, por kurrë nuk ka menduar se biri do t’i shndërrohej në yll të kalibrit botëror.

Nëna e Didier Drogbas e filloi javën duke përgatitur ushqim tradicional të Afrikës Perëndimore për një grup prej 60 tifozësh, që udhëtuan për të përcjellë Bregun e Fildishtë në Kupën e Afrikës.

Clotilde Drogba punon në një kuzhinë të një stadiumi në periferi të Malabos, duke gatuar kryesisht peshk me oriz, shpatulla pule, patate dhe salcë pikante. “Secili ka punën e tij dhe gjërat që i pëlqejnë t’i bëjë”, tha Clotilde.

“Kjo është ajo që më pëlqen mua të bëj, t’u ndihmoj njerëzve. Do të përkrahja birin tim në çfarëdo profesioni, pa marr parasysh a është i famshëm ose jo. Kjo nuk është për birin tim, është përkrahje për shtetin tim”, shtoi ajo.

Clotilde ka përgatitur ushqim për tifozët edhe gjatë Kampionatit botëror 2006 në Gjermani. Favoriti i garës, Bregu i Fildishtë është kualifikuar në çerekfinale pas fitores 2-0 ndaj Angolës të hënën. Derisa biri i saj qëndron në një hotel luksoz jashtë qytetit, Clotilde ishte në kuzhinë duke përgatitur ushqim. Fillimisht Clotilde ishte e turpshme para intervistimit dhe theksoi se i nevojitet kohë për të pastruar duart dhe rrobat.

“Ndjenja më e mirë është kur keni përgatitur ushqim të mirë dhe njerëzit janë të kënaqur. Por, është edhe më mirë kur Didier shënon dhe ekipi fiton”, u shpreh ajo.

Clotilde ka thënë se përcolli dy fitoret e para të Bregut të Fildishtë në një monitor të stadiumit modest ku punon, por shtoi se shpreson të shohë Drogban dhe bashkëlojtarët e tij në gjysmëfinale në stadiumin në Bata. Por, fatkeqësisht, Drogba nuk do të mund të shijojë ushqimin e nënës.

“Ushqimi më i mirë është ai që e gatuan nëna, por Didier duhet të ushqehet në hotel, që është normale. Ai duhet të hajë me ekipin e tij, këto janë rregullat dhe i respektoj ato”, theksoi ajo.

Para se Drogba të bëhej yll në Francë, Clotilde tha se ajo ka marrë lëvdata për fizikun e fuqishëm të birit të saj. “Në Francë, ata thonë se duhet t’i ushqeni fëmijët me shumë supë dhe ata do të rriten dhe do të bëhen të fuqishëm”, vazhdoi Clotilde e cila befasohet se biri i saj u shndërrua në futbollist të kalibrit botëror.

“Isha tifoze e Franz Beckenbauerit kur isha shtatzënë me Didierin dhe doja që ai të bëhej futbollist i tillë i madh dhe Zoti ma realizoi dëshirën”, përfundoi ajo.

Tifozi i Bregut të Fildishtë, Euloge Ngbesso, i cili ishte ushqyer me gatimin e nënës së Drogbas, tha: “Ajo është grua e mirë. Ajo është sikur nënë për tifozët këtu. Ajo është shumë e hapur dhe njerëzit e respektojnë për veten e saj e jo vetëm sepse është nëna e Didier Drogbas”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›