E Diel, 1 Nëntor 2026

Gana shpërdoron, Gjermania buzëqesh

Grupi D

Gana shpërdoron një shans të artë për të shpresuar kualifikimin në 1/8 e Botërorit 2010. Afrikanët barazuan 1-1 me Australinë, pavarësisht faktit se kishin një skuadër më cilësore dhe luajtën për 65 minuta në superioritet numerik. Gjithsesi, verdikti i fushës nuk gënjen: “kangurët” përballuan presionin e kundërshtarëve, u sakrifikuan në fushën e lojës, madje edhe mund të kishin fituar nëse Uilkshair do të kishte “harruar” që është një mbrojtës dhe ta dërgonte topin në rrjetë, pasi u gjend i vetëm me portierin Kingston. Australianët gjetën të parët avantazhin në minutën e 11-të me Holman, i cili përfitoi nga gabimi i portierit ganez, pas goditjes së dënimit të Breshanos. Por, ata kanë polemizuar edhe me gjyqtarin Roberto Roseti: momenti i diskutueshëm u regjistrua në të 24-in, kur “bilbili” italian largoi nga fusha me karton të kuq Herri Kjuëll. Ky i fundit ka bllokuar me trup në vijën fatale goditjen e Mensah, por arbitri ka akorduar penallti për prekje të topit me dorë (shumë e dyshimtë). Kjuëll dhe shokët e tij protestojnë ashpër, ndërsa pas disa çastesh Gyan ekzekuton me qetësi 11-metërshin dhe barazon shifrat. Australianët vazhdojnë kontestimet ndaj gjyqtarit, kur në fundin e pjesës së parë Adi ndërhyn shumë ashpër ndaj Holman, por Roseti e ndëshkon vetëm me karton të verdhë.

Me këtë barazim, Gana kryeson Grupin D me 4 pikë, por në ndeshjen e fundit luan me Gjermaninë, e cila ka 3 pikë, aq sa edhe Serbia. Të tria këto skuadra mund të kualifikohen, ndërsa Australia ka pak shanse edhe nëse mposht Serbinë, për shkak të golavarazhit të dobët.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›