E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension tek ekipi francez, Anelka ofendon rëndë trajnerin Domenek

Sulmuesi i thotë trajnerit “bir k…” dhe largohet përpara kohe nga botërori

Në Kombëtaren franceze, tensioni është shumë i lartë. Gjatë pushimit 15-minutësh në ndeshjen me Meksikën, trajneri Rajmond Domenek është ofenduar rëndë nga Nikolas Anelka. Sulmuesi i çelsit nuk ka pranuar t’i kërkojë falje drejtuesit të stolit dhe federata ka vendosur ta ndëshkojë, duke e larguar nga Kombëtarja. Që prej mbrëmjes së djeshme, lojtari është kthyer në shtëpi.

Botërori i Francës duket se ka ardhur drejt fundit. Pas barazimit me Uruguain në ndeshjen e parë në Afrikën e Jugut, të enjten “gjelat” humbën përballë Meksikës: 90-minutëshi u mbyll me shifrat 2-0, por përveç rezultatit, shqetësuese ishte paraqitja dhe impenjimi i skuadrës. Ky ishte dështimi – ashtu si e ka pohuar edhe vetë trajneri – i Rajmond Domenek, aventura e të cilit në stolin e bluve është e destinuar të përfundojë në mënyrën më të keqe të mundshme. Franca ka ende shpresa nga ndeshjet e raundit të fundit në grupe: ata duhet të fitojnë përballjen e fundit me Afrikën e Jugut, ndërsa Meksika dhe Uruguai nuk duhet të barazojnë. Gjithsesi, askush nuk duket se beson te mrekullia. Të parët që kanë humbur optimizmin janë lojtarët, të cilët janë shfaqur apatikë dhe pa dëshirë në sfidën e luajtur në “Peter Mokaba Stadium” në Polokuane, thuajse sikur do të lehtësoheshin nga skualifikimi në këtë edicion të Kupës së Botës. Ndoshta kjo mund të jetë edhe një hakmarrje kundrejt trajnerit, që me zgjedhjet dhe sjelljen e tij, ka humbur respektin dhe vlerësimin e të gjithë skuadrës.

Më shumë se gjithçka kjo konfirmohet nga një episod, i cili shpjegon klimën e nervozizmit të krijuar në radhët e përfaqësueses franceze: lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja “L'Equipe”. Gjatë pushimit të ndeshjes me Meksikën (kur rezultati ishte në barazim 0-0), Domenek nuk ishte aspak i kënaqur nga paraqitja e Anelka dhe vendos që në vend të sulmuesit të çelsit të aktivizojë Andre Pier Zhinjak. Deri këtu çdo gjë duket më se normale, por situata u tensionua nga reagimi i Anelka. Sipas së përditshmes franceze, lojtari nuk e priti mirë vendimin dhe ka nisur të ofendojë trajnerin duke i thënë: “Ik more q…, bir k…”. Në fund të sfidës me meksikanët, që praktikisht dha verdiktin për eliminimin e “gjelave”, Anelka u paraqit i qeshur në zonën ku qëndrojnë gazetarët dhe me sjellje “provokuese”, të një futbollisti që nuk shfaq asnjë interes për humbjen e skuadrës”. “L'Equipe” shkruante edhe rreth një tjetër episodi jo të këndshëm, që u regjistrua në fund të takimit me Meksikën. Duket se Uilliam Gallas i është përgjigjur një gazetari të televizionit “TF1”, i cili i kërkonte që të jepte një intervistë direkte, duke i treguar gishtin e mesit. Gazeta theksonte sesi lojtarët kryesorë të Francës, në krye të të cilëve qëndrojnë Riberi dhe Anelka, kanë vendosur të lënë jashtë ekipit organizatorin Johan Gurkuf. 23-vjeçari, i cili militon me Bordonë, do të jetë një prej shtyllave kryesore të Kombëtares, në “ciklin e ri” që do të nisë me mbërritjen e Loren Blank në krye të stolit, si zëvendësues i Rajmond Domenek.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›