Gani Malushi, qytetar nderi në Bajram Curri
Këshilli i bashkisë së Bajram Currit ka vendosur në mënyrë unanime që t’i japë titullin qytetar nderi (pas vdekjes) Gani Malushit ish shef i komisariatit të policisë Tropojë gjatë periudhës gusht 1999-shkurt 2000, me motivacionin “Për punën, sakrificat për vendosjen e rendit dhe të sigurisë në rrethin e Tropojës, gjatë vitit 1999”.
Propozimi për titullin është bërë nga një grup këshilltarësh dhe është votuar unanimisht nga 15 këshilltarët e bashkisë së Bajram Currit. Në ceremonninë e akordimit të titullit kanë marrë pjesë rreth 20 pjesëtarë të familjes dhe të afërm të Gani Malushit.
Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm dhe prefekti i qarkut të kukësit, Qamil Cenalia, kryetari i bashkisë së Bajrim Currit, Nuredin Ahmetaj, përfaqëues nga drejtoria e policisë së qarkut të kukësit, komisariatit, forcave politike, shoqatës së fëmijëveve të dëshmorëve etj.
Kryetari i këshillit të bashkisë vlerësoi rolin e tij të madh në vendosjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vitit të trazuar të 1999.
Duke marrë në dorëzim certifikatën “Qytetar Nderi”, e veja e kolonel Gani Malushit, Esma Malushi, ka falenderuar këshillin e bashkisë, për nderin që po i bëjnë veprës dhe sakrificave të bashkëshortit të saj.
Gani Malushi, u vra me armë zjarri kallashnikov në 6 gusht të vitit 2003, në afërsi të drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit nga shtetasi Agim Pepa, i dënuar me burgim të përjeshtëm nga drejtësia shqiptare. Vrasja e tij ndodhi kur ai drejtonte komisariatin e policisë së Krujës.