E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara e padive, Balla: Kallëzim penal Berishës



Aristir Lumezi

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nisur garën e padive penale ndaj njëri-tjetrit. Pas depozitimit të kallëzimit penal, nga ana e grupit të PD-së, për deputetin socialist Tom Doshi, deputeti socialist i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla tha dje se do të kërkojë që grupi socialist të depozitojë një kallëzim penal për Kryeministrin Berisha. Sipas Ballës, Kryeministri e akuzoi atë dy vjet më parë në Kuvend se do ta vrasë. "Unë do t'i kërkoj Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që edhe ne të depozitojmë në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj shtetasit Sali Ram Berisha, lindur në Viçidol dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 15.10.1944, për kërcënim të drejtpërdrejtë për vrasje. Ky shtetas më 22 korrik 2008, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë më ka kërcënuar: Do të të vras; Ti nuk shkel më i gjallë në Kuvendin e Shqipërisë", u shpreh Balla, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për një qëndrim të PS ndaj kallëzimit penal që deputetët demokratë depozituan dje në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Tom Doshit. Fjalimet e Ballës apo replikat e tij në Kuvendin e Shqipërisë kanë krijuar jo rrallë herë reagime të forta nga deputetët demokratë, si dhe vetë Kryeministri Berisha. "Ky ka qenë rasti i përsëritur sepse vetëm pak kohë më parë Sali Berisha më ka kërcënuar për vrasje përmes torturës: "Ta bëj fytyrën si këpuca", u shpreh Balla dje, gjatë një konference për shtyp. Pritet që në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist, Balla të propozojë kallëzimin e tij penal ndaj Kryeministrit, kallëzim që do të kërkohet të dalë si qëndrim i gjithë grupit të deputetëve. Vetëm tri javë pas heqjes dorë nga bojkoti dhe hyrjes së opozitës në Parlament, dy forcat politike ende pa zgjidhur krizën politike, kanë nisur akuzat ndaj njëra-tjetrës, të cilat shkojnë si rrallë ndonjëherë, deri në kallëzime penale të personave konkretë.
Kriza
Deputeti socialist akuzoi dje Qeverinë se e ka futur vendin në një krizë të gjithanshme. "Sot Shqipëria gjendet në një krizë të thellë: politike, ekonomike dhe institucionale. Në një krizë të thellë të qeverisjes. është pikërisht faji i Sali Berishës që sot Shqipëria është në udhëkryq. është faji i Sali Berishës që sot shqiptarët paguajnë më shumë dhe blejnë më pak. është faji i Sali Berishës që çmimet rriten, ndërsa shumica e familjeve shqiptare përballen me pamundësinë për përmbushur nevojat për ushqimet dhe mallrat bazë", u shpreh Balla. Për Partinë Socialiste, Kryeministri i vendit është përgjegjësi për të gjithë fenomenet negative, si kriza ekonomike, papunësia por dhe vonesa në heqjen e vizave të Shqipërisë me BE-në. "është faji i Sali Berishës që papunësia rritet, ndërsa ekonomia vazhdon të zhytet në krizë. është faji i Sali Berishës që shqiptarët sot jetojnë në varfëri. është faji i Sali Berishës që integrimi evropian po vonon, liberalizimi i vizave ka ende kritere të paplotësuara, ndërsa Shqipëria mbetet e fundit në Ballkan. është faji i Sali Berishës që po sakrifikon vizat për të mbajtur të fshehur të vërtetën që gjendet në kutitë e votimit të 28 qershorit. është faji i Sali Berishës që sot Shqipëria është në krizë. Sepse Sali Berisha nuk pranon t'i japë fund krizës duke pranuar kompromisin. Kompromis të cilin tashmë Partia Socialiste e ka pranuar. Sali Berisha, timonieri i rrangallës së kësaj maxhorance duhet të heqë dorë nga zanati i vjetër i shurdhit, por të pranojë kompromisin, duke i hapur rrugë transparencës", u shpreh Balla dje, gjatë konferencës për shtyp në selinë rozë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›