SHBA, Bredli kërcënon Anglinë e Kapelos
Mesfushori i Shteteve të Bashkuara, Majkëll Bredli, paralajmëroi Anglinë se duhet të priste një përballje fizike nga amerikanët gjatë sfidës midis tyre të ditës së shtunë në Kupën e Botës.
Lojtari, djali i trajnerit të Kombëtares, Bob Bredli, premtoi se do t’ia bënte realisht të vështirë jetën e formacionit të Fabio Kapelos në sfidën e Rustenburgut në Afrikën e Jugut, duke theksuar se ata do të përpiqeshin të gjenin dhe të testonin një formulë të ngjashme me atë që përdorën në finalet e Kupës së Konfederatave verën e kaluar. “Ne kemi një mënyrë të luajturi, e që na çoi ne kaq larg, dhe ne jemi të gatshëm ta përdorim këtë”, - tha lojtari i Borusia Mënshengladbahut në Gjermani. Bredli përfundoi: “Në çdo ndeshje të madhe, lojtarët luajnë me shumë emocione dhe të shtunën, imagjinoj se Anglia do të jetë po me këto emocione, ashtu si ne”.
Kapelo grindet me fotografët
Trajneri i Anglisë, Fabio Kalelo, humbi durimin duke sjell ashpër me një grup fotografësh gjatë stërvitjes në bazën e “Royal Bafokeng”, në Afrikën e Jugut. Kapelo u nxeh pasi lojtarët e tij ishin filmuar brenda ndërtesës, gjithashtu dhe në dhomën mjekësore, duke iu drejtuar fotografëve. “Përse ju bëni foto në dhoma? Kjo nuk ju justifikon”. Është hera e parë që trajneri italian humbet temperamentin e tij të fortë me gazetarët, që kanë ndjekur ekipin Kombëtar të Anglisë, dhe të sillet keq ndaj tyre vetëm e vetëm se ata kishin bërë fotografi.
Iniesta në dyshim kundër Zvicrës
Mesfushori i Barcelonës pësoi një dëmtim në miqësoren kundër Polonisë.
Andres Iniesta është në dyshim për ndeshjen hapëse të Spanjës kundër Zvicrës në Kupën e Botës. Mesfushori i Barcelonës pësoi një dëmtim në muskujt e këmbës së djathtë në shkatërrimin 6-0 në miqësoren kundër Polonisë. “Ne nuk mund të përcaktojmë kohën”, - thuhet në një deklaratë të skuadrës së Spanjës, - por shanset e lojtarit për të luajtur në ndeshjen e parë ën Botëror nuk janë rrëzuar të gjitha”. Iniesta u zëvendësua në minutën e 39-të në miqësoren kundër Polonisë, pasi nuk u ndje mirë në këmbën e djathtë. Iniesta luajti një rol kryesor në dy golat e parë të Spanjës.
Adriano: Ranieri më donte te Celsi
Ish-sulmuesi i Interit firmosi një kontratë 3-vjeçare me Romën
Blerja më e re e Romës, braziliani Adriano, zbuloi se trajneri Klaudio Ranieri ishte përpjekur për ta marrë atë te Celsi, në kohën kur ai ishte rezident në Londrën veriore. Adriano, 38 vjeç, firmosi një kontratë 3-vjeçare me nënkampionët e Italisë, duke përfituar 3.5 milionë euro në sezon, pas largimit nga Flamengo.
Ylli i “sambës” theksoi se ai ishte prej kohësh në shenjestrën e Ranierit. Duke folur për mediat, ish-sulmuesi i Interit – i cili nuk u përfshi nga trajneri i Brazilit, Dunga, për Kupën e Botës së vitit 2010 – tha: “Kam folur me Ranierin, ai më dëshironte gjithashtu edhe në kohën kur ai ishte te Celsi”. “Kam folur gjithashtu me Totin dhe De Rosin dhe kuptova se kjo është një familje. Ata më thanë, se të gjithë së bashku dhe mund ta bëjmë Romën një ekip të madh”, - përfundoi “Perandori” Adriano.
Davids: Është koha e Holandës
Ish-mesfushori “portokalli” beson se skuadra e vendit të tij do të fitojë Kupën e Botës
Ish-mesfushori i Holandës, Edgard Davids, tha se është koha e duhur që “portokallinjtë” të fitojnë Kupën e Botës. Formacioni aktual i Bert van Marvijs ka 9.4 për qind shanse për të fituar trofeun në Afrikën e Jugut, kjo sipas parashikuesve të “Castrol Predictor”, por Davids beson se “Oranje” do t’i shkojnë deri në fund rrugës. “Në lidhje me ‘Oranje’, unë mendoj se momenti i duhur më në fund ka ardhur për ta për të fituar Kupën e Botës”, - tha Davids për Goal.com. Davids, i cili luajti në Serinë A gjatë karrierës së tij prestigjioze, nënvizoi edhe kredencialet e Italisë. “Është gjithmonë historia e zakonshme me Italinë. Ju kurrë nuk e dini se çfarë mund të prisni prej tyre”, - theksoi ai. “Ata e dinë se si mund të bëhen gjithmonë e më mirë gjatë turneut dhe kjo është shumë e rëndësishme”.
10 Qershor 2010