E Shtunë, 31 Tetor 2026

2002, Brazili, mbret me pesë yje

Pjesa e 17-të e ciklit: “80 vjet rreth planetit të futbollit, 1930-2010”. Një speciale e Skifter Këlliçit: “Nando Martelini, Anton Mazreku dhe unë”

Nga Skifter Këlliçi

Erdhi dita që FIFA të merrte vendim që botërori i ardhshëm 2002 të luhej për herë të parë në kontinentin aziatik dhe për herë të parë gjithashtu në dy vende-Japonia dhe Korea e Jugut.Dy vende me histori tragjike të periudhës moderne: Japonia, me qytetet, Hiroshima dhe Nagasaki, të rrafshuara më 1945 nga bombardimet atomike, me rreth 200 mijë të vdekur dhe mijëra të tjerë që vuajtën nga pasojat e kësaj gjëme të stërhatashme, dhe Koreja e Jugut,që gjithashtu së bashku me Korenë e Veriut pati 4 milionë viktima gjatë luftës së përgjakshme midis tyre, përfunduar më 1953, me ndarjen e në paralelin e 38,ndarje që vazhdon edhe sot.
Dy vende pa tradita në futboll,por jo në sporte të tjera, po të marrim parasysh se kishin organizuar dy veprimtari të mëdha botërore;Japonia-olimpiadën verore të vitit 1968 në Tokio, dhe Koreja e Jugut,po të njëjtën veprimtari më 1998 në Seul.
Përsëri po e njëjta formulë,8 grupe me nga 4 skuadra,ku nga cdo grup kualifikohen dy të parat dhe kështu këto 16 skuadra vazhdojnë betejat ”për jetë a vdekje” me sistem mënjanimi. Humbëset marrin pa ceremoni rrugën për në... shtëpi. Përsëri “golden goal-I”, pra në shtesën prej 2x15 minutash ajo që shënon e para fiton,ndryshe vijmë te lotaria e 11-metërshave.
Në fazën e dytë kalojnë më të mirat. Por ka dhe të papritura: Senegalit, debutues, nuk i dridhet qerpiku para Francës kampione e botës. E mposht atë 1-0,barazon me Danimarkën dhe Uruguain, madje më këtë të fundit deri në minutën e 88-të fiton 3-2 dhe së bashku me Danimarkën,kualifikohen, kurse francezët largohen të mbështjellë nga kujtimet e lavdishme të botërorit ’98 që mbeten në… sirtar.
Kina e mbi një miliard njerëzve, nuk arrin të gjejë 11 vetë “të hajrit” që të grumbullojnë të paktën një pikë në grupin ku bëjnë pjesë Brazili, Turqia, (fituese) dhe Kosta Rika.
Amerikanoveriorët shastisin portugezët, kur, pasi udhëheqin 3-0, pësojnë dy gola,një me autogol,ashtu si kundërshtarët, dhe së bashku më koreanojugorët janë në 1/8 e finaleve. Luanët kamerunas, si të jenë “zbutur” nga gjermanët dhe irlandezët që kanë në grup,kthehen në pa lavdi në atdhe së bashku me Arabinë Saudite. Të njëjtin fat pësojnë edhe nigerianët,që nuk përsëritin bëmat me Italinë të katër viteve të shkuara, në çerekfinale,kur Baxho më shokë në 100 sekondat e fundit të lojës barazuan e në shtesë fituan. Ajo,duke u fundosur, tërheq me vete edhe Argjentinën që nuk ka më solistë si Maradona që të luajnë “tangon” e tyre deri në fund,duke lejuar para vetes Suedinë dhe Anglinë. Edhe Kroacia e treta në Francë,nuk arrin të “kalojë klasën” së bashku me Ekuadorin,duke lënë të kalojnë para tyre “profesorë” si Meksika dhe Italia.
Senegalezët dëshmojnë se jo më kot ndodhen në elitën e më të fortëve, sepse u tregojnë “aeroportin” suedezëve,ndonëse ata shënojmë të parët në 11’,për të pësuar dy gola nga Kamara në 37’ dhe 104’.
Ëndrra e pasardhësve të samurajasve japonezë për t’u gjendur në kupolën e futbollit botëror këputen nga turqit,pasardhësit e jeniçerëve, në një betejë që u mbyll shumë shpejt në 12’,kur turku Davala dha vendimin e prerë- “colpo di grazia”, sado që vringëllima e shpatave japoneze u dëgjua jo më pak se ajo e “këllicëve”.
Amerikanët dëshmuan se vërtet futbolli është lojë pak popullore për ta, po ta krahasojnë më bejzbollin, basketbollin dhe sidomos me futbollin amerikan,por ama,”të rrimë shtrembër e të flasim drejt”, u dhanë një “dajak” që të mbahet mend fqinjëve të tyre të Jugut, meksikanasve, që i kishin parë nga lart, me dy gola si kujtim “përdëllyes”. Ishte e para herë që trashëgimtarët e vendit të quajtur Amerikë, për nder të italianit Amerigo Vespuci, me emrin e të cilit ky vend ishte pagëzuar,arrinte midis 8 skuadronëve më të mirë të botës. Dhe kjo i shkundi amerikanët që tani po kuptonin se ky lloj sporti nuk qenkej i denjë vetëm për vajzat e tyre, siç e kam vënë në dukje, më të mirat në botë,por që mund t’i bënte edhe djemtë po aq të shquar.
Këtë e pashë edhe unë më sytë e mi.I ndodhur në Boston prej marsit të vitit 1999,pas kësaj fitoreje u vu në lëvizje edhe presidenti Bush, që uroi Donovanin, një ndër futbollistët më të mirë amerikanë dhe shokët e tij për këtë sukses.
I vjen radha tani ndeshjes Itali-Koreja e Jugut. Këtë ndeshje si dhe të tjerat deri në finale nuk e pashë në Boston, por në Tiranë, ku kthehesha pas tre vjetësh. Korea e Jugut fitoi 2-1 me Italinë, me një “golden goal” të Ahn, në minutën e 114-të, një lojtari që luante në Itali me Peruxhian. Ahn Jung-Huan u bë i famshëm në Itali tek skuadra e Peruxhias, por ai do të njihet në mbarë botën e futbollit për “Golden Goal”-in e shënuar në ndeshjen e 1/8 të finaleve ndaj Italisë. Që nga ai moment ai do të cilësohej si heroi jo vetëm i atij takimi, por edhe një nga futbollistët më të dashur në vendin e tij. Sezoni 2001–2002 ishte edhe sezoni i fundit në Itali.
Ndeshjet Angli-Danimarkë dhe Brazil-Belgjikë përfunduan pa histori në favor të skuadrave të para, përkatësisht 3-0,dhe 2-0. Në takimin midis spanjollëve dhe irlandezëve puna na arriti deri te 11-metërshat,ku fati u buzëqeshi të parëve, 3-2.
Kësisoj Botërori koreano-japonez trokiti në portat e cerekfinaleve.Por këtë radhë pa japonezët të cilët, siç e pamë, nuk kishte qenë nevoja të bënin harakiri para turqve dhe tani nxitnin koreanojugorët që të ngjiteshin drejt Himalajës se këtij botërori. Dhe kështu ndodhi. Edhe më këtë betejë u shënua një tjetër skandal. Gjyqtari egjiptian Gandur, sikur ta ishte pasur bilbilin “të prishur”, nuk dekretoi tre gola të spanjollëve,të cilët sa nuk shkulnin flokët nga dëshpërimi për këto që po ndodhnin në fushë. Kur erdhi puna te 11-metërshat, ata e kishin humbur kaq shumë toruan, sa gjuajtën keq, kurse të zotët e shtëpisë të nxitur nga hallku në shkallët e stadiumit, “plotësuan normën” me pesë goditje të sakta, kundrejt 3 të kundërshtarëve.
Për herë të parë në historinë e botërorëve një skuadër aziatike arrinte në një lartësi nga ku mund të shihte si Modunjo me këngën e tij të famshme“Volare”, botën që i zhdukej sysh.
Nëpër një rrugë të mundimshme kaloi Brazili që mënjanoi Anglinë, këtë herë shumë e fortë. Madje ishin Oueni që u priu anglezëve në 21’. Brazilianët barazuan në minutën e fundit të pjesës së parë me anë të Rivaldos dhe dolën fitimtarë nga stadiumi pas golit të dytë të Ronaldinjos që po shkëlqente pranë Ronaldos në “kostelacionin brazilian”.
I vetmi ambasador i Afrikës në këtë botëror, Senegali doli i brohoritur nga fusha, edhe pse u mund nga Turqia 1-0 pas golit të Mansizit, madje në minutën e 94-t. Nuk mbeti pas as SHBA-ja në takimin me Gjermaninë. Nuk që një ndeshje midis “maçokut dhe miut”.Këtë e dëshmoi rezultati 1-0, pas golit të Ballakut, i arritur më shumë vështirësi. Sidoqoftë, presidenti Bush i përgëzoi futbollistët amerikanë që arritën në një cak kaq të lartë të kuvendit të futbollit botëror.
Siç thashë më lart, në fazën finale pra nga fundi i qershorit dhe fillimit të korrikut të vitit 2002, u ndodha në Tiranë. Disa miq, kur më panë, pandehën se kisha ardhur për të komentuar ndeshje të botërorit. E njëjta gjë u përsërit kur u ndodha në një shtëpi botuese. Por u shpjegova se kisha ardhur vetëm për pushime. Por nëse do të më propozonin nga TVSH-ja, do të pranoja me gjithë dëshirë të komentoja ndonjë ndeshje,kur në Tiranë,si katër vjet të shkuara në botërorin francez ’98, vazhdonte ende gara midis tërë stacioneve televizive, që transmetonin këtë botëror. Në mbrëmje dikush më telefonoi. Ishte redaktori i asaj shtëpie botuese. Më shpjegoi se kishte biseduar më një nga drejtuesit e TVSH-së,të cilit i kishte thënë se më kishte parë në Tiranë dhe se do të dëshironte që si teleshikues të tjerë, të komentoja në këtë televizion ndeshje të fazës së fundit të këtij botërori. Por nga ana tjetër e telit kishte dëgjuar përgjigjen: ”Ne nuk dimë që ai të ketë ardhur në Tiranë”. Vazhdonte kështu historia e vjetër. Por këtë radhe nuk ishte “kryekomentatori”, por një nga drejtuesit e TVSH-së,deri atëherë më i rëndësishmi në Shqipëri,që nuk kishte dëshirë që ai, i cili më 1972 kishte qenë pari që kishte nisur epokën e transmetimeve të ndeshjeve sportive në TVSH,por vetë një drejtues i tij.
Ashtu si në ndeshjen në grup, Brazilit iu desh të stërmundohej që të prodhonte një gol kundër Turqisë që u tregua edhe këtë radhë kundërshtar i denjë për 4 herë kampionët e botës. Të vetmin gol e shënoi Ronaldo në 49’. Koreanojugorët nuk lanë dyshime për ndonjë skandal “gjyqësor”. Luftuan si “primus inter parem”(latinisht: “të parë midis të barabartësh”), me gjermanët, që mundën të dilnin ngadhënjimtarë në këtë ndeshje, pas golit të vetëm dhe përsëri të Ballakut në 75’.
Finalja për vendin e tretë, shumë dramatike midis Koresë së Jugut dhe Turqisë u mbyll 3-2 për të dytën që me tri goditje të sakta të “këllicëve” të tyre, prenë çdo shpresë të atdheut të “diellit që nuk perëndon”, siç njihet Koreja. Jugkoreanët, nga ana tjetër qëlluan në shenjë dy herë dhe hynë kështu në “kuartetin vokal” më të mirë të këtij botërori.Madje në këtë ndeshje u shënua një rekord origjinal:Turku Shukur shënoi në sekondën e 11-të golin e parë, duke thyer rekordin e francezit Lakomb, që kishte shënuar në takimin me Italinë golin e parë në sekondën e 44-t të Botërorit Argjentinë ’78.
Në finale u ndodhën kështu dy nga përfaqësueset më të denja të futbollit botëror-Brazili dhe Gjermania. Por këtë radhë “samba” braziliane, falë solistëve Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinjo, që katër vjet më parë kishte dëshmuar se do të ngjitej denjësisht “në katedër”, fitoi 2-0, duke ndalur vërshimin e “stuhisë dhe vrullit” vagnerian të gjermanëve.
Kështu Brazili për të pestën herë u proklamua mbreti i një botërori, për të “abdikuar” katër vjet më pas në Botërorin “Gjermani ‘06”, për të cilin do të tregoj në pjesën e 18-të dhe të fundit të këtij udhëtimi me ballonin “80 vjet rreth planetit të futbollit,(1930-2006).

Nga rezultatet e fazës finale

1/8 e finaleve
Angli-Danimarkë 3-0
Brazil-Belgjikë 2-0
Senegal-Suedi 2-1
Turqi-Japoni 1-0
Gjermani-Paraguai 1-0
Meksikë-SHBA 0-2
Spanjë-Irlandë 3-2,( me shtesë dhe 11-metërsha)
Korea e Jugut-Itali 2-1, (me “golden gol” në 114’, Ahn)

Çerekfinale
Brazil-Angli 2-1
Senegal-Turqi 0-1
Gjermani-SHBA 1-0
Koreja e Jugut- Spanjë 0-0,( 5-3 me shtesë dhe 11-metërsh)

Gjysmëfinale

25 qershor 2002
Gjermani – Kore e Jugut 1 - 0
Balak 75’

26 qershor 2002
Brazil – Turqi 1 – 0
Ronaldo 49’

Finale për vendin e 3-të
29 qershor
Kore e Jugut – Turqi 2 – 3
Li 9’, Song 93’ / Shukur 1’, Ilhan 13’, 32’

Finale
30/06/2002
Gjermani – Brazil 0 – 2
Golat: Ronaldo 67’, 79’

Gjermania: Kahn, Linke, Ramelov, Metzelder, Frings, Haman, Jeremis (Asamoah 77’), Nojvill, Shnaider, Bode (Zige 84’), Klose (Bierhof 74’)
Trajner: Rudi Fëler
Brazil (Markos, Kafu, Lusio, Roke Zhunior, Roberto Karlos, Edmilson, Xhilberto Silva, Kleberson, Ronaldinjo, Rivaldo, Ronaldo
Trajner: Luis Felipe Skolari
Kartonë të verdhë: Klose / Roke Zhunior
Arbitër: Pierluixhi Kolina (Itali)
Spektatorë: 69,029
Golashënuesi më i mirë i botërorit: Ronaldo(Brazil), 8 gola
Lojtari dhe portieri më i mirë: Kahn,(Gjermani)

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›