E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara në PD, të pathënat e kandidimit të Mustafajit

 

Ish-Ministri i Jashtëm tenton të thyejë tabunë 18-vjeçare. Tezat e Mustafajit dhe pse hesht Berisha

TIRANË- Dhjetë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend dhe pas tre vjetësh vëmendje të përqendruar në qeverisje, Partia Demokratike po rikthen debatin në çështjet e saj të brendshme. Një ristrukturim i partisë më të madhe në pushtet që shtyhet dhe vetëm shtyhet. Një përplasje për postet partiake dhe ato shtetërore që nuk ka marrë zgjidhje. Kritika për mungesën e vazhdueshme të demokracisë së brendshme në partinë e parë të themeluar pas pluralizmit në vend dhe drejtimin e saj nga i njëjti individ për gati 2 dekada. Gjithë këtë situatë në selinë blu tashmë të braktisur si nga zyrtarët dhe militantët, e ka thyer publikisht një nga themeluesit e PD-së, Besnik Mustafaj. Një miqësi e prishur një vit e gjysmë më parë me kryeministrin Sali Berisha pas dorëheqjes nga posti i Ministrit të Jashtëm, e ktheu Mustafajin në një nga zërat e paktë kritik brenda mazhorancës për qeverisjen e djathtë. Tashmë ai është protagonisti i vetëm publik me shpalljen e kandidaturës për kreun e PD-së së Tiranës, një nga postet më të rëndësishme partiake nisur nga rëndësia që ka dega e kryeqytetit edhe në prag të zgjedhjeve të 2009-ës.

Lëvizja e Mustafajit në PD

Besnik Mustafaj e tha publikisht si rrallë kush në PD kur niset dhe merr një nismë të tillë. “Kandidimi im është i bazuar në statutin e partisë dhe jo mbi preferencat e kryetarit të Partisë Demokratike”,- deklaroi për gazetarët diplomati. Miq dhe kolegë që e mbështesin në këtë lëvizje jo të zakontë në PD, (quhet jo e zakontë pasi nuk ka marrë “bekimin” e Berishës), thonë se Mustafaj kërkon të sjellë para së gjithash një frymë të re në PD, atë të thyerjes së tabusë, që për vendime të rëndësishme, primar është zëri i kryetarit dhestrukturat e partisë. “PD-ja ka nevojë për shfaqje idesh dhe për thyerje tabush”,- të thonë mbështetës të tij.Por çfarë sjell Mustafaj? Edhe pse është viti 2008, Partia Demokratike vazhdon të ndjejë mungesën e lirisë së shprehjes dhe demokracisë së brendshme. Tre vite në qeverisje e kanë lënë krejt pas dore organizimin e selisë blu, ku të gjithë zyrtarët e saj janë përqendruar në postet kyçe të shtetit. Zyrat në PD i ka mbuluar pluhuri, ndërsa investimi për ambiente komode është bërë në zyrat e shtetit që drejtohen nga funksionarët demokratë. Edhe njerëzit më të betuar për PD-në dhe Berishën të pohojnë që ka një organizim të asfiksuar dhe ku demokratët nuk ndihen pjesë e politikës. Një situatë që fort mirë e di edhe deputeti demokrat, Besnik Mustafaj. “Ka ardhur koha për zgjimin e demokratëve nga gjumi letargjik”. Kjo është një nga tezat që Mustafaj pritet të hedhë për këtë garë të nisur. Ndonëse nuk ka një garë zyrtare dhe se mandati i kryetarit të PD-së së Tiranës dhe zyrtarëve të tjerë mbaron në prill 2009, Mustafaj e ka shpallur kandidimin e tij. Kolegët e tij tregojnë se ai nuk do të pranojë të bëjë kompromise për hir të fitores.

Heshtja e Berishës

Berisha nga ana tjetër nuk e ka pritur mirë këtë lëvizje të ish-ministrit të Jashtëm, që për prishjen e miqësisë mes të dyve nuk është mësuar ende asgjë publikisht. Madje deri më tash ka vetëm heshtje për ish-mikun e tij ndër vite, që thotë shumë, nga ana e Berishës. Një situatë që në fakt përcillet edhe tek drejtuesit e tjerë në PD, të cilët në mungesë të një orientimi të shprehur publikisht nga kryeministri, nuk thonë asgjë më shumë rreth kandidaturës së Mustafajit. Ka pak komente dhe përgjithësisht reagime standarde të tipit: “Kushdo ka të drejtë të kandidojë për postin e kryetarit”. E javët në vijim do të jenë të rëndësishme për këtë garë në PD, ku nën zë thuhet se po “gatitet” edhe emri kandidat, që do ketë mbështetjen e Berishës. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë më shumë se një kandidim mes dy kandidatësh, do të jetë njëpërballje e Mustafajit me Berishën. Këtë herë rrugëtimi i Mustafajit është për të parë nëse do të ketë ndryshim rezultati dhe thyerje të një tabuje 18-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›