E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi: Politikat e qeverisë kanë shkuar majtas

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, flet për politikën e ndjekur nga qeverisja aktuale. Sa e djathtë ka mbetur në zbatimin e politikave dhe çfarë duhet të ndryshojë brenda mazhorancës

Z. Shehi, si e keni parë të djathtën gjatë këtyre tre viteve qeverisje? A ka devijuar qeveria aktuale me politikat e saj nga parimet bazë të së djathtës?

Do të beja një parantezë në fillim, në kuptimin, që a kemi realisht një të djathtë. Dhe sipas gjykimit tonë, një e djathtë potenciale në elektorat sigurisht që ka, si kudo në botë, aq më tepër në një vend ku shtypja e vjetër ka qenë shumë e madhe dhe reaksioni presupozohet që duhet të ishte më i madh. A është e djathta dominante në shoqërinë shqiptare? Sigurisht që jo. Por ne gjykojmë që edhe në qoftë se nuk është dominante, ajo është e domosdoshme, për të qenë faktor politik, për të ekuilibruar mentalitetet, politikat, që janë rrënjosur prej shumë vitesh, dhe njëkohësisht për të ekuilibruar mendimet e të gjithë qeverive, që kanë qeverisur gjatë 17 viteve të fundit, të cilët realisht asnjëherë nuk kanë pasur një presion të djathtë. Kanë pasur nuancën, ose më saktë një lloj romanticizmi politik që mjafton të rivendosë në vend disa figura nga e djathta, ose t’i bëjnë një vështrim historisë në favor të së djathtës, por pjesa tjetër e vendimeve që janë marrë, veçanërisht në atë të ekonomisë, asnjëherë nuk kanë qenë të djathta. Ky është një realitet i dukshëm, që nuk ka filluar sot, por shumë vite me parë. Që nga dëshira për të qenë një sistem edhe kapitalist, edhe popullor njëkohësisht, edhe ekonomi tregu, por njëkohësisht i dashur për të gjithë, me dëshirën për t’i dhënë tokë të gjithëve në mënyrë të barabartë edhe kur nuk është e vetja, për t’i falur të gjithëve shtëpia kur nuk kemi mundësi tua falim dhe atyre që do të vijnë më vonë, për të bërë privatizime thuajse gratis, pra një sërë elementësh në fushën ekonomike, që e ka dëmtuar esencën e të konsideruarit të djathtë të politikës shqiptare. Nga kjo pikëpamje gjykojmë që viti 2009 është realisht një shans i mirë për të rifilluar një politikë të djathtë. Edhe ne si LZHK po përgatitemi pikërisht për këtë. Për t’i afruar shqiptarëve një alternativë të djathtë, një alternativë, që duhet të jetë konkurruese, një alternativë që është kritike dhe oponente e kësaj qeverie, sepse përndryshe nuk do të kishte motiv që të ekzistonim. Po të rreshtoheshim edhe ne brenda kësaj mazhorancë, si shumë të tjerë, do të zhduknim shpresën në mënyrë definitive, që këtu e djathta të mund të artikulohet në ndonjë formacion politik. Pra duhet të prodhojë lidershipin e vet politik, të afrojë programet e ekzekutivit në favor të ideve të së djathtës dhe të balancojë politikën shqiptare e cila gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një politikë e qendrës dhe e qendrës së majtë. LZHK nga ana saj do të dalë e vetme. Ne sot gjykojmë që të kemi një të djathtë në Shqipëri. Që do të vijë nga votat e atyre që nuk kanë votuar ndonjëherë, nga vota e atyre që janë të pakënaqur në përgjithësi nga historia demokratike e Shqipërisë dhe sigurisht nga votat që deri me tash kane besuar me një lloj naiviteti që ky formacion i qeverisë së Shqipërisë është i djathtë. Ky do të jetë roli i LZHK-së. Sa të zot do të jemi për ta çuar përpara, kjo do të varet sërish nga ne. Kjo mund të vlejë edhe për formacione dhe njerëz të tjerë politikë. Ligji është bërë i tillë që i jep shans tashmë të gjithëve që të konkurrojnë me forcat e tyre dhe pa akuzuar se po i prishin punë njeri tjetrin.

Folët për formacione të tjera politike. Duke mbetur tek e djathta, cili është roli i partive të tjera si PR apo PDK në koalicionin qeverisës?

Mund të jenë parti të djathta në programe dhe ide, por në realitet nuk janë. Partia momentin më të mirë për të zbatuar programin e saj e ka kur vjen në pushtet, kur bëhet pjesë e ekzekutivit. Të gjithë këto zotërinjtë që përmendëm me sipër, me gjithë dëshirën e mirë që kanë pasur për të bërë hapa djathtas, kanë mbetur pjesë e një formacioni, që synon për të qenë krah pushtetit dhe jo për rreth ideve të së djathtës. Vetë pushteti është i mbushur edhe me njerëz të së majtës, me parti dhe formacione që qeverisën edhe pesë vite të shkuara, është i mbushur jo vetëm me nëpunësit e së majtës, por edhe me ide të së majtës. Kështu nga kjo pikëpamje gjykojmë që edhe nëse ka copëza programesh nga këto parti, nuk kanë më asnjë vlerë, sepse e patën shansin dhe nuk bënë asnjë lufte për t’u realizuar këto ide të së djathtës. Finalja tregon se qëllimi kryesor ishte pushteti.

Çfarë i nevojitet mazhorancës që ta ndryshojë këtë situatë?

Në demokraci gjerat ndryshojnë me votë. Në gjykojmë që LZHK dhe krahu i djathtë kontribuon në mënyrë determinante për të zgjeruar masën e njerëzve nga qendra në të djathtë që tentojnë të bëjnë një shtet më të mirë. Duke qenë të gjithë bashkë nuk bëjmë gjë tjetër veçse qëndrojmë nën pardesynë ngjyre gri të kësaj mazhorance e cila nuk ka pse t’u nxisë ndonjë entuziazëm të madh njerëzve, sepse nëse është mjaftueshme, ajo mund të vazhdojë edhe vetme. Por ne gjykojmë që nuk është e mjaftueshme, por edhe e nevojshme, dhe e domosdoshme që të ketë një zë të fortë politik të së djathtës.

Që do të thotë?

Që do të thotë të shtohet numri i votave për LZHK-në, të shtohen idetë, dhe të kthehet në fuqi vendimmarrja sa i përket platformave të së djathtës, pra që t’i kthehemi edhe njëherë, temës së shtetit ligjor, të drejtës mbi pronësinë e ligjshme, sistemit të ndarjes së institucioneve, duke filluar nga Presidenti, gjykatat, prokuroria, domethënë t’i rikthehemi edhe njëherë asaj kohe që me shumë entuziazëm u nis 20 vite më parë për të ndërtuar shtetin e ri demokratik shqiptar, por që fatkeqësisht ka përfunduar në tematikën e ngushtë, se kush do të kontrollojë pushtetin.

A ka shanse për fitore të së djathtës në zgjedhjet e 2009-ës?

Nëse do të quanim të djathtë masën shqiptare që duan një shtet, që duan barazi përpara ligjit, shanset janë të mëdha sepse rreth këtyre ideve, që janë të djathta në esence, mblidhen shumë njerëz. Nëse të djathtë do të konsiderojmë këtë mazhorancë e cila mendon se duke legalizuar pronën e tjetrit do të mbledhë disa vota më shumë, duke i bërë qejfin disa militantëve duke degjeneruar në punësim edhe administratën publike në këtë shkallë që është sot, sigurisht që shanset zvogëlohen dhe ky është fenomen që po riciklohet prej shumë vitesh. Kështu është humbur pushteti edhe në vitin 1996 me këto ide të gabuara, dhe nuk është çudi që të humbasim edhe sot. Unë gjykoj që ka ardhur koha të ringremë grupe të tjera politike, që do të hapin debatin brenda së djathtës, që po flasim, edhe t’i japim frymë një dialektike të re, që t’i shikojnë gjërat me ndryshim dhe në evolim. Ne nuk mund të vazhdojmë me skemën e vjetër të vitit 92’ që kemi një PS ish-Partia e Punës dhe kemi një grup që është kundër tyre, por që lidershipin e ka marrë po nga krahu tjetër. Shqipëria sot që flasim ka nevojë për rinovim konkret që të hyjnë në lojë personazhe të reja, të hyjnë ide të reja. Kush na kërkon më çdo kusht unitetin homogjen monolit në emër të zgjedhjeve bën një gabim të madh. Sepse edhe ligji është bërë për të treguar se sa vlen çdo parti politike. Kështu që ata që duan vota dhe zgjedhje të lira të ndershme, siç pretendojnë të gjithë, nuk kanë pse i tremben diversitetit apo garës brenda së djathtës. Sot me një sistem të tillë, të pretendosh unitetin, nuk do të thotë asgjë më tepër vetëm që t’u shtypesh kokën ideve të reja, t’i mbyllësh rrugën konkurrencës politike, të kthesh sistemin e zgjedhjeve vetëm në një garë mes dy klaneve ekonomike.

Për ndryshimin

Unë gjykoj që ka ardhur koha të ringremë grupe të tjera politike, që do të hapin debatin brenda së djathtës, që po flasim, edhe t’i japim frymë një dialektike të re, që t’i shikojnë gjërat më ndryshim dhe në evolim. Ne nuk mund të vazhdojmë me skemën e vjetër të vitit 92’ që kemi një PS, ish-Partia e Punës dhe kemi një grup që është kundër tyre, por që lidershipin e ka marrë po nga krahu tjetër. Shqipëria sot që flasim ka nevojë për rinovim konkret që të hyjnë në lojë personazhe të reja, të hyjnë ide të reja.

Për sistemin aktual zgjedhor

Ata që duan vota dhe zgjedhje të lira të ndershme, siç pretendojnë të gjithë, nuk kanë pse i tremben diversitetit apo garës brenda së djathtës. Sot me një sistem të tillë, të pretendosh unitetin, nuk do të thotë asgjë më tepër vetëm që t’u shtypesh kokën ideve të reja, t’i mbyllësh rrugën konkurrencës politike, të kthesh sistemin e zgjedhjeve vetëm në një garë mes dy klaneve ekonomike.

Për një politikë tjetër të së djathtës

Të kthehet në fuqi vendimmarrja sa i përket platformave të së djathtës, pra që t’i kthehemi edhe njëherë, temës së shtetit ligjor, të drejtës mbi pronësinë e ligjshme, sistemit të ndarjes së institucioneve, duke filluar nga Presidenti, gjykatat, prokuroria, domethënë t’i rikthehemi edhe njëherë asaj kohe që me shumë entuziazëm u nis 20 vite me parë për të ndërtuar shtetin e ri demokratik shqiptar, por që fatkeqësisht ka përfunduar në tematikën e ngushtë, se kush do të kontrollojë pushtetin.

Për partitë aleate

Mund të jenë parti të djathta në programe dhe ide, por në realitet nuk janë. Partia momentin më të mirë për të zbatuar programin e saj e ka kur vjen në pushtet, kur bëhet pjesë e ekzekutivit. Të gjithë këto zotërinjtë që përmendëm me sipër, me gjithë dëshirën e mirë që kanë pasur për të bërë hapa djathtas, kanë mbetur pjesë e një formacioni, që synon për të qenë krah pushtetit dhe jo për rreth ideve të së djathtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›