E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, PS kritika qeverisë për mungesë reformash

 

Kryetari i Komisionit të Integrimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Taulant Balla, flet për procesin e lehtësimit të vizave

TIRANË- Në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e Ministrisë së Jashtme për deklaratën eZëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Jacques Barrot, se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg, kryetari i Komisionit të Integrimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se përgjegjësia mbetet vetëm e qeverisë. “Do të kishte qenë marrje përgjegjësie por edhe detyrim institucional dhe moral i Ministrisë sonë të Jashtme, që pas kësaj deklarate të Zëvendëspresidentit të Komisionit Europian të ishin shprehur publikisht dhe të pranonin kritikën se Shqipëria ende nuk ka bërë hapa të dukshëm dhe të qëndrueshëm në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për liberalizimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së”,- tha Balla. Ky udhërrëfyes i është dorëzuar ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, më datë 3 qershor 2008, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm në Komisionin Europian për Zgjerimin, Michael Leigh. Udhërrëfyesi përmban objektivat që duhet të plotësojë Shqipëria për të liberalizuar regjimin e vizave me BE-në duke identifikuar elementët bazë që monitorohen nëpërmjet këtij udhërrëfyesi, të cilat janë: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave. “Por kanë kaluar gati katër muaj që nga dorëzimi i këtij udhërrëfyesi dhe ende ky dokument është peng i sirtarëve të zyrës së mbyllur të ministrit Basha, kur ndërkohë në bazë të udhërrëfyesit duhet të ishte hartuar një plan kombëtar veprimi për përmbushjen e standardeve dhe mekanizmi për raportimin e progresit në përmbushjen e detyrimeve. BE-ja na ka treguar rrugën, na asiston financiarisht dhe me ekspertë, por janë institucionet tona ato që kanë për detyrë të përmbushin kushtet”,- tha ai. Balla shtoi se shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë murin e vizave sepse kjo qeveri nuk as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›