E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Korçë, synohet alternativë e re për arsimin

Kryetari i PS-së, Edi Rama, njihet me situatën e vështirë që ka përfshirë arsimin në qytetin e Korçës

Korçë- Rruga e ideve për të ardhmen, për çështjen e arsimimit është diskutuar këtë herë në qytetin e Korçës. Arsimtarë dhe pedagogë të këtij qyteti kanë pohuar pamundësinë dhe braktisjen e shkollave nga një kategori nxënësish të cilëve iu duhet të punojnë për të ndihmuar ekonomikisht familjet e tyre. Kryetari socialist Edi Rama, në takimin e zhvilluar,u shpreh se nga të dhënat e regjistruara në mbarë vendin në “Dialogun me Shqipërinë”, 70 % e atyre që jetojnë në fshat e kanë thuajse të pamundur të përballojnë blerjen e teksteve shkollore. “Në fazën e parë, ne mblodhëm sa mundëm shqetësimet, problemet dhe të gjitha ato shprehje të një game shumë të gjerë problemesh, që na u transmetuan nga dhjetëra mijëra njerëz. Tryezat e arsimit kanë qenë për ne jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo pasi na është dhënë mundësia për t’u ulur me një numër shumë të konsiderueshëm mësuesish, mësuesesh, pedagogesh e pedagogësh në gjithë Shqipërinë dhe për të mbledhur më shumë kujdes të gjitha shqetësimet e tyre. Sigurisht, që kjo punë zhvillohet në disa drejtime dhe komunikimi i drejtpërdrejtë është njëri nga drejtimet, ai më kryesori. Ndërkohë një punë e konsiderueshmezhvillohet edhe në nivelin e mbledhjes së të dhënave për të gjithë këtë proces të shqyrtimit dhe e krahasimit të shifrave nga statistikat e të gjitha këtyre viteve”,- tha Rama, duke shpjeguar se dje ata ishin për të vijuar fazën e dytë të këtij procesi. “Synojmë që të gjitha ato që kemi dëgjuar, kemi mbledhur, kemi analizuar dhe krahasuar, t’i sintetizojmë në ide konkrete dhe kështu të formësojmë alternativën tonë të re për arsimin në Shqipëri. Pra, është momenti për të filluar dhe diskutuar lidhur me rrugëdaljet dhe për të mbledhur propozime konkrete për mënyrën se si ne duam të zgjidhim problemet jo të vogla dhe jo të pakta të këtij sektori të mbërthyer në krizë”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›