E Diel, 1 Nëntor 2026

Slogani i fushatës, Berisha: Ju jeni të parët

SHKRUAN: Nevila Perndoj 29-03-2011 14:27

Kryeministri Berisha shpall sloganin e fushatës. Berisha reagon edhe për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

TIRANË Për kryeministrin, Sali Berisha, slogani i fushatës së mazhorancës do të jetë

“Të parët jeni ju”. Për këtë nuk kishte asnjë dyshim dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por ajo që nuk është vendosur ende, sipas Berishës, është kënga e fushatës. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha radhiti disa këngë të njohura, që në thelb duhet të simbolizojnë fitoren. “Sa i përket himnit, diskutimet vazhdojnë... Po të ishte për mua “Eye of the tiger”, për të mos thënë dhe “Barracuda”, ato janë këngët e adrenalinës sime, por nuk do të jenë, sepse dikush po më thoshte, po e vumë këngën “Eye of the tiger”, iku nga frika kandidati kundërshtar. Ajo fjalët i ka të bukura, por prapë nuk mund ta kemi, “Thunder strike” është një tjetër këngë, jashtëzakonisht frymëzuese, ndezëse, prapë nuk mund të them se do të jenë etalon”, - tha dje Berisha. Kryeministri shtoi se diskutimet janë të shumta. “E bukur shumë është “Victory”, e Michael Flatley, por ende nuk është konkluduar se duhet të jetë në një valë me qytetarin, urojmë dhe shpresojmë të zgjedhim më të bukurin... Përveç himnit kombëtar, duhet himni i fushatës dhe aty po bëhen përpjekje, por këto dy-tre ditë do të konkludohet, sepse himni është element i rëndësishëm. Ju jeni dëshmitarë sesi “Ëin the Race” dhe “Shqipëria po Ndryshon”, u bënë këngët më të dashura të fushatës”, - tha Berisha, duke iu referuar fushatës së 2007-ës. Berisha iu përgjigj edhe akuzave të zyrtarëve të lartë të PS-së, sipas të cilëve, fituesi për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar u paracaktua. “...Komiteti përzgjodhi jurinë, juria u kryesua nga një prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës së sotme dhe u përbë nga arkitekt të tjerë, mes tyre edhe dy shqiptarë. Juria përzgjodhi, si projekt më të mirë, vlerësoi në kompleksitetin e tij, si projektin më të bukur, më funksional, projektin e arkitektit austriak Prix, që është sot një ndër më të mëdhenjtë, absolutë të kohës sonë. Ndodhi që qeveria austriake ka vendosur të rinovojë parlamentin me një shumë prej 300 milion euro, natyrisht që ftuan arkitektin Prix, për të marrë përsipër projektin dhe ky arkitekt i madh ju thotë se është më mirë të ndërtojmë një parlament të ri. Kushton fare pak, më shumë. Shpërtheu një debat i madh në Austri, nëse duhet të ndërtonin të riun apo të rinovonin të vjetrin. Shtypi austriak më serioz, qorton ata që nuk po dëgjonin Prix, por ndërkohë informon se Shqipëria po ndërton me projektin e Prix, parlamentin e saj të ri”, - tha Berisha, duke shtuar se Tirana në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, do ketë ndërtesën më të re.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›