Gara për kreun e PD, Basha mbyll fushatën në Tiranë: Zgjedhjet e nesërme, për tu ringritur dhe për të fituar beteja të tjera
UPDATE- Një ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së, kandidati Lulëzim Basha po zhvillon në këto momente takimin përbyllës në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Përpara mbështetësve të tij, Basha premtoi se zgjedhjet e nesërme në PD do gjejnë mënyrën për tu ringritur dhe për të fituar beteja të tjera. “Kjo garë po vërteton se si ne demokratët në momentet jo më të mira tonat rrezatojmë vlera dhe dinjitet për qytetarët e politikën shqiptare. Falënderoj nga zemra çdo anëtar që u përfshi në këtë proces të jashtëzakonshëm dhe emancipues. Të nisim rrugën tonë drejt rikthimit dhe fitores. Kemi vendosmëri për tu ringritur”, tha ai. Më tej Basha lëshoi një thirrje për bashkim mes çdo demokrati. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë e ndaj çdo demokrati, është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të reja brenda PD-së do të bëhet edhe një analizë për të gjetur pikat e forta dhe të dobëta të forcës së djathtë, më të madhe në vend. “Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qenë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve, të evidentojmë pa emocion gjithçka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, tha ai.
Basha prezantoi platformën e tij për drejtimin e PD në Durrës dhe Kavajë: “Vetëm të bashkuar, do ta rikthejmë PD shumë shpejt në qeverisjen e vendit”
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar prezantimin e platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike, në Durrës dhe Kavajë. Zoti Basha ka theksuar se vetëm të bashkuar, demokratët do të mund të kthehen shpejt në qeverisjen e vendit dhe vazhdimin e realizimit të ëndrrës evropiane të shqiptarëve. “Më lejoni të ndaj një rrëfim me ju! Që nga ditët e para, kur miq, dashamirë, njerëz që duan të më shohin si kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre pyesnin: - “Kë ke në Durrës, kë ke në Vlorë, po në Shkodër kë kemi, në Korçë kë ke, po në Gjirokastër kë kemi!? Dhe përgjigjja ime ka qenë vetëm një: - Në Durrës, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kam dhe kemi Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e Sali Berishës, partinë e Azem Hajdarit. Vetëm kështu, të bashkuar, vëllezër dhe motra, do të nisim një rrugëtim të fuqishëm, për rikthimin sa më shpejt në krye të asaj që na takon, destinacionit tonë historik, të asaj që presin shqiptarët prej nesh, udhëheqjen e ëndrrës së tyre evropiane” – u shpreh z. Basha. Zoti Basha ka garantuar të gjithë anëtarësinë, se në drejtimin e PD prej tij, vendimmarrja do të jetë atribut i anëtarëve të PD. “Çdo anëtar i PD, nga themeluesi, tek qëndrestari dhe anëtari më i ri do të kenë akses të plotë, të thonë hapur mendimin e tyre, për çdo çështje që i takon PD. Nuk mund dhe nuk do të mjaftohemi më në pikëpamjen time, me vendimmarrje që janë të mbyllura, të ngushta, të kufizuara por duhet t’ia rikthejmë atributet e plota sovranit në Partinë Demokratike, që janë anëtarët dhe anëtaret e PD” – theksoi z. Basha.
...