E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Rotacioni, revanshi dhe ringjallja e enverizmit

21-07-2013 / Gazeta 55

Një muaj pas zgjedhjeve, akoma pa u formuar ajo që do jetë qeveria e majtë e Shqipërisë, shenjat e keqe kanë plasur të duken gjithandej. Etja për revansh është bashkëlidhur me motivimin e tij, enverizmin. Prej kohësh disa të përditshme revanshiste, qartësisht komuniste, evidentojnë apo nxjerrin në pah punën e mirë të diktaturës. "Heronj të popullit", njerëz mediokër e të pavlefshëm për shoqërinë, me të vetmen meritë se kanë qenë oficerë të Sigurimit famëkeq që ndiqte "banda" (lexo luftëtarë të lirisë e antikomunistë) kanë zënë vendin e revanshit në shtypin ekstremisht të majtë që është në përkrahje të Partisë Socialiste. Para të vjedhura nga regjimi i dikurshëm, të krimit ordiner, e atij të organizuar janë hedhur për të ngjallur enverizmin, këtë të keqe të madhe të Shqipërisë. Gazeta të njerëzve pa personalitet, pinjollë të familjeve komuniste, bashkëpunëtorë ordinerë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit, botonin shkrime se si do rivendoset monumenti i "heroit" Enver Hoxha dhe si do hidhet në erë i "tradhtarit" Ahmet Zogu. Është e qartë se jemi para një agresioni e revanshizmi injoranto - komunist që e kupton pushtetin njëlloj si 29 nëntori i mbrapshtë i vitit 1944, koha kur kolera e kuqe mori me forcë e vrasje pushtetin.
Sharlatanë të tjerë, injorantë e sakatë mendorë, të cilët të vetmen meritë kanë pasur enverizmin e keqdrejtimin, janë ngjallur edhe më shumë për të “treguar” lavdinë e madhe të regjimit ku jetuan.
Dikur, në fillim vitet 90, tellallët e komunizmit hiqeshin sikur dënonin krimet e Enver Hoxhës dhe bandës së tij. Tani kanë dalë haptazi, e kanë flakur atë maskë që mbanin me kryelartësi e pompozitet në mbrojtje të gjithçkaje enveriste, të gjithçkaje ka prodhuar llumi i zi i atij regjimi. Për shembull një kryetar që përfaqëson një parti gjoja të unitetit kombëtar ka dalë tani një prej agjitatorëve të komunizmit gjakatar. Jo se kishim dyshim për formimin e qëllimet e të tij, por është një prej rasteve që enveristët u mbrojtën pas partiçkave që nuk përfaqësonin asgjë më shumë se parti komuniste që donin të mbanin ndezur frymën e enverizmit.
Faza e kamuflimit ka kaluar dhe tani gjërat thuhen haptazi siç ka qenë edhe qëllimi kryesor. Paratë e vjedhura nga regjimi komunist hidhen për të majmur lloj – lloj sharlatanësh apo zëdhënësish të krimit komunist. Dhjetëra kriminelë ish oficerë, nënoficerë,etj, që meritonin përjetësisht burgun, sot kapardisen me kujtime sikur të kenë qenë supermenë apo heronj të lindur. Teoritë e “disa gabimeve” të Enver Hoxhës tani kanë mbaruar. Enveristët tanimë flasin për “Enver të pagabueshëm”. Tani kërkojnë të shijojnë të mirat e kapitalizmit me simbolin e Enverit në ballë. Nëse kërkoni te Enver Hoxha figurën “madhore” mos u mundoni kot. Çfarë t’i numërosh më parë mbrapshtisë 50 vjeçare të Enver Hoxhës? Ishin dy jugosllavë nën mesatarë si Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç që e vunë në krye të PKSH-së, ishin ata që e zgjodhën në funksione të tjera në kongresin e Përmetit dhe mbledhjen e dytë të Beratit. Nëse kërkoni një kohë të vetme që ka pasur bashkim doganor me Jugosllavinë, është ajo e viteve 1946 – 1948, përfshi edhe unifikimin e monedhave. Nëse ka pasur kohë kur flitej për “vëllezër afrikanë” dhe “miq kosovarë”, është pikërisht kjo e Enver Hoxhës. Nëse kërkoni mbrapshti ekonomike e varfëri, tollona për t’u ushqyer është pikërisht koha e Enver Hoxhës. Vjedhja masive e pasurisë së tundshme e të patundshme të shqiptarëve, marrja e florinjve shtëpi më shtëpi, janë tiparet kryesore të regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Përveçse kaq, Hoxha ishte antiperëndimor. Ai pa vetëm nga lindja dhe u lidh me armiqtë historikë të Shqipërisë. Zhdukja e elitës së shkolluar në Perëndim, burgosja, internimet, varfëria, janë tiparet kryesore të regjimit të Hoxhë. E majta po tregon sot se nuk shkëputet nga trashëgimia komuniste e Hoxhës dhe se nxitja e këtij lloji enverizmi shihet si mjet revanshi, në një kohë që duket jo vetëm primitiv por edhe krejt i papërshtatshëm. Mosshkëputja e të majtës nga enverizmi është një e keqe e madhe për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›