E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara për kreun e ri të PD-së, nis sot zyrtarizimi i kandidaturave

TIRANË- Sot pritet të nisë zyrtarizimi i kandidaturave për postin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, proces që do të vijojë deri të enjten. Menjëherë pas çeljes së garës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të PD-së, zyra e organizimit në këtë parti ka nisur verifikimin e listave të anëtarësisë për votimin sipas parimit 'një anëtar, një votë' të kandidaturave që do të paraqiten për këtë post. 

Të premten e shkuar, kryesia e PD-së zyrtarizoi hapjen e garës për kreun e ri të saj, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të z.Sali Berisha, lideri i saj historik. Në fjalën e tij, z.Berisha, i cili do të mbajë drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, tha se sot PD-së i nevojitet një fillim i ri.
"PD ka pësuar një humbje në garë dhe ajo e ka jetike një rikthim të ri të fuqishëm, i cili do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ndaj dhe ne kemi detyrë kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Ai nuk mund të zgjidhet nga kongresi, nga Kuvendi i partisë, ai duhet të zgjidhet nga 'një anëtar një vote", deklaroi z. Berisha në mbledhjen e kryesisë së demokratëve. 

Ai garantoi se gara do të jetë e hapur dhe kjo faktohet nga mosmbështetja e asnjë kandidati të mundshëm nga ana e Sali Berishës. 

Gara pritet të mbahet në fund të muajit korrik dhe në fillim të muajit gusht dhe anëtarësia do të votojë në bazë qarku. Pas votimit dhe përzgjedhjes së kryetarit, ai do të ketë të drejtë të zgjedhë kandidaturat për Këshillin Kombëtar, të cilët votohen në Kuvendin e ardhshëm të Partisë  Demokratike, ku merr pjesë e gjithë anëtarësia. Kuvendi tjetër do të jetë me të deleguar dhe do të zgjedhë Këshillin Kombëtar. Ky i fundit më pas zgjedh Kryesinë. 

Ende nuk janë paraqitur kandidatura zyrtare pranë strukturave të PD-së, por janë distancuar nga gara nënkryetarja e kësaj force, Jozefina Topalli, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›