E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja feston fitoren dhe 22-vjetorin, Rama fton Berishën e Nanon. Jo Malajn

rama-festeTiranë- Festa që u shty për pas zgjedhjeve të 23 qershorit, me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste do të mbahet sot. Selia rozë festoon sot edhe përvjetorin e themelit, por edhe fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Festa që u shty më 12 qershor mbledh sot shumë personalitet të PS-së, por mësohet se ftesë i ka shkuar edhe kryeministrit Berisha dhe të djathtëve të tjerë.

Edi Rama njoftoi edhe këtë festë, madje bëri të ditur se një ftesë për dy eventet u është dërguar edhe kryeministrit tashmë në detyrë ende, Sali Berisha, aleatëve të tij të së djathtës dhe jo vetëm. Ftesë ka marrë kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Sakaq mikpritësi Edi Rama tha në intervistën e tij të fundit: Sali Berisha, është i ftuar ditën e hënë në festën e Partisë Socialiste që ne kemi shtyrë pas zgjedhjeve dhe nuk diskutohet që kushdo që do ta pasojë do të jetë kryetari i opozitës dhe do të respektohet ashtu siç nuk është respektuar deri më sot. Ftesa për Berishën është bërë, jo vetëm për PD-në, por për gjithë kryetarët e partive të opozitës.

Rama ka ftuar edhe Fatos Nanon, por mesa duket jo Arben Malajn. Ky i fundit ka reaguar mëngjesin e sotëm përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Mirëmëngjes, Kjo është një përgjigje ndaj interesit të gazetareve për pjesëmarrjen në festën e PS-së, ditëlindjen e së cilës ua kam uruar socialistëve progresistë nga Lumi i Vlorës në ditëlindjen e saj në 12 Qershor 2013.

“Ftesat janë publike dhe ndoshta jo vetëm burokratike. Besoj fleksibël janë edhe mundësitë për ta festuar ditëlindjen e PS-së. Ndjehem krenar dhe mirënjohës që kam pasur mundësinë të kontribuoj në sfidat e modernizmit të PS-së dhe vendit tim. Detyrimet janë të përhershme dhe mirënjohëse ndaj socialistëve dhe njerëzve të mrekullueshëm të vendit tim. Mundësitë për tiu shërbyer vetëm pozitivisht, asnjëherë nuk kanë qënë dhe nuk do të jenë të kushtëzuara nga karrige partiake apo qeveritare. Urimet më të mira dhe mirënjohje të thellë socialistëve progresistë.

Suksese në sfidën e vështirë por fisnike të mirëqeverisjes së vendit si detyrimi më i madh ndaj vendit tonë. Miqësisht Arbeni,- shkruan Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›