Gara për president, Romni kritikohet nga rivalët e tij

Kandidati për president i SHBA-së Mit Romnit është kritikuar nga rivalët e tij për kandidat të Partisë Republikane për sa i përket profesionit të tij si biznesmen. Pesë kandidatët e mbetur, përfshirë Romnin, kanë mbajtur një debat mbrëmë, në shtetin e Karolinës së Jugut.
Raportohet se Romni, i cili përveçse ka shënuar fitore në Ajoua dhe Nju Hempshir, mund t`i afrohet edhe më shumë kandidatit të Partisë, nëse e fiton edhe garën e së shtunës së ardhshme në Karolinën e Jugut.
Debati i mbrëmshëm ndodhi vetëm disa orë pasi ambasadori amerikan në Kinë, Xhon Huntsman, u tërhoq nga gara, për të mbështetur Romnin. Kandidatët e tjerë të mbetur në garë janë Nut Gingriç, Rik Santorum, Ron Paul dhe Rik Perri.