Mbytja e anijes në Itali, gjendet kufoma e shtatë

Është gjetur një tjetër kufomë në anijen turistike “Costa Concordia”, e cila u mbyt natën e të premtes në afërsi të brigjeve të Toskanës.
Trupi i pajetë i një personi është gjetur nga zjarrfikësit në rrënojat e anijes gjysëm të fundosur italiane, duke e çuar numrin e të vdekurve gjithsej në shtatë.
Roja bregdetare italiane ka deklaruar më herët se numri i të zhdukurve nga katastrofa e anijes, është 29 persona.
Marko Brusko, shefi i rojës bregdetare tha se autoritetet tani besojnë se 25 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit mbeten të zhdukur që nga fillimi i fundosjes së anijes “Costa Concordia”, më 13 janar.
Ai tha se ka vetëm një fije shprese për gjetjen e të zhdukurve dhe se kërkimet ende po vazhdojnë.
Prokuroria e Grossetos ka hapur një hetim dhe janë arrestuar kapiteni 52-vjeçar i anijes Francesco Schettino e oficeri i parë në sallën e komandës Ciro Ambrosio, me akuzën e vrasjeve pa paramendim, mbytje dhe braktisje të anijes në kohën që një numër i madh pasagjerësh ende nuk ishin shpëtuar.
Duket se kapiteni është larguar nga anija që në orën 11 të natës, ndërsa operacionet e evakuimit kanë vazhduar deri në orën gjashtë të mëngjesit.
As specialistët dhe as peshkatarët e zonës nuk shpjegojnë dot mbytjen e anijes, një manovër e gabuar apo një afrim i tepruar në breg për të parë më mirë ishullin.